Arbëri

Rrecaj: Rusia ka më shumë humbje sesa fitime në Ukrainë, Trumpi e ka bërë situatën më komplekse

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, ka vlerësuar se Rusia nuk ka arritur objektivat e saj në Ukrainë, përkundrazi, ka pësuar humbje të mëdha gjeopolitike.

Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin kishte për qëllim nënshtrimin e Ukrainës ose ndërrimin e regjimit në Kiev, por ndihma e vendeve perëndimore, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe rezistenca ukrainase e kanë pamundësuar këtë skenar. Ai shtoi se, ndonëse Rusia ka pushtuar rreth 20% të territorit të Ukrainës që nga fillimi i luftës më 2022, ofensiva e saj njëvjeçare nuk ka sjellë fitime të reja të rëndësishme.

“Gjatë një viti ofensivë, Rusia nuk ka arritur të pushtojë më shumë territor sesa një Kosovë. Përkundër kësaj, ajo ka humbur pozitën e saj ndërkombëtare dhe ndikimin në vende të tjera, si Siria, Armenia dhe Moldavia”, deklaroi Rrecaj në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai theksoi se sanksionet evropiane do të fillojnë të kenë ndikim real te Rusia, pasi rezervat financiare të saj po shterojnë.

Duke folur për qëndrimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, Rrecaj ka thënë se pozicioni i tij e bën situatën më komplekse, pasi qëndrimet i ka të paqarta.

“Nuk po mund ta lexojmë çfarë synon Trumpi. Ai po jep mesazhe të ndryshme, dhe ka paqartësi edhe brenda ekipit të tij”. theksoi ai, duke shtuar se çështja e Krimesë mund të jetë një sakrificë e detyruar për Ukrainën.

Rrecaj foli edhe për takimin mes Trumpit dhe presidentit francez Emmanuel Macron në Uashington, duke analizuar gjuhën e tyre trupore.

“Sipas studimeve, 70% e komunikimit është përmes gjuhës trupore. Në rastin e Macronit dhe Trumpit, gjuha e tyre trupore ka qenë jashtëzakonisht pozitive, që tregon për një linjë të përbashkët mes Evropës dhe SHBA-së”, ka thënë ai.

Ai përmendi gjithashtu se Trumpi po e shtyn politikë transaksionale, e cila nuk bazohet në vlera, por në interesa konkrete, duke e parë këtë si qasje të realizmit parimor në politikën ndërkombëtare.