Ambasadori gjerman

Rohde thotë se për t’u anëtarësuar në KiE, Kosova duhet të bëjë “hapa të prekshëm” për Asociacionin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet të bëjë “hapa të prekshëm” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse dëshiron të anëtarësohet në Këshill të Evropës.

“Duhet bërë hapa të prekshëm, sepse Këshilli i Evropës i kushton rëndësi të veçantë çështjes së të drejtave të pakicave. Mënyra më e mirë për të treguar se Kosova është e përkushtuar për ta zbatuar atë është fillimi i implementimit të Asociacionit. Pra, të bëjë një hap të prekshëm, sepse edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka thënë se duhet bërë pas pranimit”, tha Rohde në “Interaktiv” të KTV-së. 

Rohde ka thënë se “sa më shumë që bëhet para takimit të Komitetit të Ministrave, aq më e madhe është mundësia për një votim të suksesshëm”. 

“Besoni, Gjermania është tejet e interesuar për një votim të suksesshëm dhe një anëtarësim të suksesshëm në Këshill të Evropës”, ka thënë Rohde.


Rohde vlerëson se BE-ja duhet të fillojë me heqjen e masave ndaj Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se mendon se Bashkimi Evropian duhet ta fillojë me heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Qeveria e Kosovës, pas organizimit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, ka thënë se janë plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian. 

E zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se Këshilli i BE-së vendosë duke u bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell. 

“Mendoj se Kosova ka argumentuar shumë mirë. Kosova e ka kryer punën e saj, duke e ofruar procesin për pjesëmarrje për ta ndryshuar atë situatë dhe Kosova nuk mund të fajësohet për shkak se pala tjetër e ka bojkotuar. Jam i sigurt se do të ketë vendime, shpresoj, në Bruksel që do të shkojnë në këtë drejtim. Unë personalisht mendoj se duhet filluar procesin për heqjen e masave”, ka thënë Rohde në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së.


Rohde: Bojkoti e dorëheqjet, politikat e Listës Serbe në 18 muajt e fundit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kritikuar Listën Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës. 

Votimi i të dielës dështoi pasi morën pjesë vetëm rreth 250 votues. 

Rohde në intervistë për “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se politikat e Listës Serbe në 18 muajt e fundit kanë qenë bojkoti dhe dorëheqjet. 

“Thirrja për bojkot një javë para referendumit ishte fatkeqësi, është për të ardhur keq. Dhe siç kam thënë, nëse bojkoton, nuk mund të befasohesh më për rezultatin, pasi ajo është destruktive dhe nuk çon te pjesëmarrja. Tash kemi situatë që për askënd nuk është e kënaqshme. Bojkoti kurrë nuk është zgjidhja. E kam thënë javën e kaluar në një intervistë se bojkoti dhe dorëheqjet duket se janë politikat e Listës Serbe në 18 muajt e fundit. Nuk është rruga para, njerëzit duan përfaqësim e jo konfrontim”, ka thënë Rohde. 

Rohde ka thënë se ky bojkot nuk ndihmon në shtensionim të situatës, pasi gjendja ka mbetur e njëjtë.

“Efekti është aty, që kryetarët qëndrojnë në zyrat e tyre. Nuk dua të shkoj te vlerësimet hipotetike. Rezultati është se ka bojkot dhe për mua BE-ja e të tjerët po ashtu kanë komentuar këtë, nuk është rruga para. Është mënyrë destruktive dhe nuk shoh që ndihmon në shtensionim të situatës. Ne donim të shihnim rezultat dhe me bojkot kurrë nuk arrin rezultat”, tha Rohde.