Arbëri

Rohde: Shumica e rekomandimeve të BE-së janë injoruar

Rohde

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur mbështetjen e plotë të Gjermanisë për deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me tri projektligjet që janë caktuar për shqyrtim të dytë nesër në Kuvendin e Kosovës. 

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se lidhur me projektligjet për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së që synojnë përmirësimin e tyre dhe pajtueshmërinë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Rohde ka thënë se shumica e rekomandimeve nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës janë injoruar. 

Ai ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që t’i rishqyrtojë amendamentet e propozuara përpara votimit.

“Mbështetje e plotë e Gjermanisë për deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Pavarësisht se e dimë se të tre ligjet janë të rëndësishme për rrugën e Kosovës drejt BE-së, shumica e rekomandimeve nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës janë injoruar. Këshilla ime për Kuvendin e Kosovës: Rishqyrtoni amendamentet e propozuara dhe përshtatini draftet përpara votimit”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.