Arbëri

Rohde për aksionin ndaj “call-centerit”: Bashkëpunim i shkëlqyeshëm i autoriteteve Kosovë-Gjermani

Jorn Rohde

Foto: Driton Paçarada

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka lavdëruar bashkëpunimin e autoriteteve të sigurisë të Kosovës dhe të Gjermanisë në operacionin që gjatë javës u mbyll me 20 të arrestuar në katër qytete të Kosovës më 27 nëntor.

“Këtë javë, Policia e Gjermanisë dhe ajo e Kosovës me sukses kryen një operacion të përbashkët ndaj mashtrimit të ‘call-center’ në Kosovë. Ky operacion nënvizon bashkëpunimin e shkëlqyeshëm të autoriteteve tona në luftimin kundër krimit të organizuar. Faleminderit të gjithë zyrtarëve të përfshirë në punën e shkëlqyeshme ekipore”, ka shkruar Rohde në Twitter të premten.

Siç pati njoftuar Policia e Kosovës atë ditë, në 14 lokacione në Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë, pas hetimeve disamujore ishin kapur 20 persona që dyshoheshin për “hyrje të paautorizuar kompjuterike” dhe “mashtrim”. Në aksion ishin sekuestruar 120 mijë euro të gatshme, pesë vetura, mjete financiare nëpër banka dhe prona të paluajtshme, 30 kompjuterë, 30 telefona, pajisje memorizuese e dokumente të tjera.

Policia pati bërë të ditur se në operacion kishin marrë pjesë 120 zyrtarë policorë, e se në të ka pasur të përfshirë edhe zyrtarë gjermanë.