Edhe pse Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk e ka në agjendë çështjen e Kosovës një javë deri në takim, ajo mund të ndryshojë në momentin e fundit.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka siguruar për këtë dhe e ka shtyrë Kosovën që të marrë një vendim “të guximshëm” për ta bërë realitet anëtarësimin në KiE.
Kosovës i është kërkuar të bëjë progres drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për t’u anëtarësuar në Këshill.
“Agjenda për takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mund të ndryshohet minutën e fundit. Por, sa më shpejt që Kosova merr një vendim të guximshëm, aq më realiste është të arrish 2/3 e shumicës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës”, ka shkruar Rohde në platformën X.
Derisa Franca e Gjermania kanë kërkuar që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, kryeministri Albin Kurti e ka quajtur absurdë atë kërkesë. Një kërkesë e tillë është përsëritur edhe nga Ambasada italiane në Prishtinë.
Britania e Madhe është e vetmja që ka thënë se e mbështet Kosovën pa kushte.