Nxënësit e shkollës “Vëllezërit Frashëri” po shënojnë sukses edhe jashtë vendit
Rexhep Maloku
Makineria e robotizuar përlan një nga një kokrrat e fasules. Valon Thaqi nuk ia ndan për asnjë çast sytë derisa pajisja e programuar çan rrugën e improvizuar të ndarë në mes me një shirit të zi. Në fakt, censorët diktohen prej ngjyrave të autoudhës e të hekurudhës, që gërshetohen pas pak. Kokrrat e fasules, për Thaqin, paraqesin dëborën. Dritat e kuqe që ndizen e fiken në rampën e bardhë e frenojnë mjetin për pastrim kur i afrohet nja dhjetë centimetra. Pas pak sekondash, treni kthehet nga kishte ardhur. Pas tij, i hapet rruga makinerisë së programuar që merr edhe katër kthesa para se të kthehet në pikën e nisjes.
Në këtë demonstrim, ku kërkohet precizitet maksimal, Thaqin e ndihmojnë Ylldrit Gashi e Erik Salihu. Të tretë demonstrojnë me krenari rezultatin e punës së kryer nga nxënësit nën monitorimin e mësimdhënësit Hajriz Rashiti në shkollën fillore, “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan. Është njëri prej projekteve më të avancuara që deri tani kanë realizuar anëtarët e Grupit të teknologëve. I njëjti projekt u është prezantuar ekipeve të më shumë se shtatëdhjetë shteteve nga katër anët e botës në “Olimpiadën e gjenive”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktiviteti u organizua nën mbikëqyrjen e Universitetit Shtetëror të New Yorkut.
“Edhe kokrrat e fasules nuk i kemi ndërru asnjëherë”, thekson me qeshje Rashiti, duke marrë çehre serioze kur u kthehet vlerësimeve të larta ndërkombëtare që do t’i bëheshin projektit të orkestruar prej tij. “Një makineri të ngjashme të madhe e kishim kriju pa problem edhe për me i pastru rrugët e Lipjanit”.
Shkolla e qytezës së rrafshët është mbështetur deri tani me pajisje në vlerë prej shtatë mijë dollarësh nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Rashiti shpreh mirënjohje të thellë për zyrtarët e saj. “Gjithçka që kemi kërkuar na i kanë sjellë. I jam falënderues Arsim Ilazit, i cili thoshte se më mirë me u prish pajisjet derisa punoni me to, se me u prish pa i përdorur”, shton Rashiti.
Mision e pasion
Rashiti, mësimdhënës i lëndës së teknologjisë informative dhe të komunikimit, ka dymbëdhjetë vjet që i angazhon nxënësit në projekte të ndryshme. Fillimisht ishin sa për të demonstruar praktikën shkollore. Por viteve të fundit janë shtuar ambiciet e tij dhe të teknologëve të rinj. Madje në shkollën me një mijë e shtatëqind nxënës, qindra filloristë ëndërrojnë të bëhen pjesë e grupit me pesëdhjetë anëtarë. Rashiti e nxënësit kalojnë orë të tëra në kabinet edhe pas kryerjes së mësimit detyrues. Bashkë do të jenë edhe katër vjet para se mësimdhënësi t’i çojë duart prej ditarit e pajisjeve. Asnjëherë nuk e heq uniformën.
“Kështu që ia kam dhanë vetes si obligim, që i kam edhe nja katër vjet deri në pension, po du me i shfrytëzu sa ma mirë, për arsye se edhe nxënësit po përfitojnë, po mësohen me punu me to, me programu, me u aftësu, se iu vyn për jetën e mëtutjeshme”, thekson ai.
“Puna këtu më ka ndihmuar shumë, edhe tash jam një programer, jo i mirë si ata të tjerët, por jam një programer i thjeshtë”, thekson Ardonis Byçmeti, nxënës i klasës së tetë.
“Na ka ndihmuar shumë, në programim, por edhe na e ka rritur kreativitetin qysh me ec për projekte të ndryshme”, thotë Art Misini, gjithashtu fillorist i klasës së tetë.
Pjesëmarrja në gara ndërkombëtare është një tjetër faktor që ka mobilizuar mësimdhënësin dhe nxënësit për projekte të reja. “Dhe po bahet atraktive, për arsye se nxënësit po dojnë me shku jashtë vendit për arsye se këto garat brenda sikur i kemi harxhu dhe nuk po është interesant. Për shembull, me ba gara me Mitrovicën, me Ferizajn. Prishtinën, Gjakovën, tash po dojnë me ba gara me një shtet ose me shtete të tjera, si Maqedonia dhe Shqipëria dhe kështu me radhë”, thekson ai.
“Edhe ne nuk do të ndalemi”
Përfaqësimi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara ishte mundësi e mirë për të përfituar prej përvojave dhe mënyrave të punës së ekipeve të dhjetëra shteteve pjesëmarrëse. “Edhe ne nuk do të ndalemi. Mandej kemi qenë edhe në Keni”, thotë ai.
Në shtetin amerikan ishin edhe Byçmeti dhe Misini.
“Na kemi takuar bashkëmoshatarë të shteteve të ndryshme. Jemi shoqëruar me irakianë, indianë e të shteteve të ndryshme. Kemi mësuar për kulturat e tyre. Edhe ne kemi prezantuar kulturën tonë. Është mbajtur një aktivitet me prezantimin e këngëve dhe valleve tradicionale të shteteve. Ne bashkë me katër nxënëse të shkollës ‘Hasan Nah’ kemi paraqitur vallet shqiptare”, thekson ai.
“Një ditë atje mbahet një aktivitet kulturor e nxënësit tanë kanë pasur veshje kombëtare. Ata ishin të interesuar, sidomos shtetet e Afrikës, që me i pa edhe veshjen kombëtare, edhe këto vallet tona, sepse iu dukeshin shumë interesante. Incizonin me celularë, por edhe televizionet e atjeshme”, e plotëson mësimdhënësi Rashiti. “Kenia ende nuk e ka njohur Kosovën”.
Misini ndërkaq tregon se si nxënësit nga Kenia e Iraku nuk kishin dëgjuar për Kosovën. “Kemi mësuar fjalë të tyre dhe u kemi treguar fjalë shqipe, si ‘Mirëdita’ dhe ‘Faleminderit’. Vazhdoj të flas me ta në internet”, thekson Misini ulur para projektit tjetër me makineri robotike, që bën selektimin e materialeve të plastikës, hekurit, letrës dhe qelqit, e që pastaj dërgohen nga kamionët-robotë në “Fabrikat e riciklimit”.
Shtytje për shkollat e tjera
Rashiti dhe drejtori i shkollës, Jakup Bahtiri, falënderojnë Komunën e Lipjanit dhe Ministrinë e Arsimit për mbulimin e shpenzimeve për pjesëmarrjen në SHBA, Keni e Shqipëri. “Këto rezultate normalisht janë motivim jo vetëm për nxënësit e shkollës sonë, por janë motivim edhe për shkollat e tjera, në nivel lokal, edhe për komunat e tjera, edhe në nivel të shtetit, sepse vlerat gjithmonë çmohen”, thekson ai. “Prandaj bëj apel që të gjitha shkollat të aplikojnë për garat që mbahen jashtë Kosovës, sepse është e mirë dhe përfitimi është konkretisht te nxënësi”, thekson Bahtiri, në zyrën e të cilit ruhen certifikatat e sjella nga garat ndërkombëtare.
Në një kabinet tjetër të teknologjisë – më i vogël se ai ku mbahen edhe orët teorike – Ylldrit Gashi dhe Erik Salihu nxjerrin medaljet e fituara nga një garë e robotikës mbajtur në Tiranë. Rioshët rrëfejnë se si në ethe kishin pritur jurinë dhe vlerësimet e pastajme.
“Kemi pasur një përvojë të mrekullueshme në Tiranë se nuk kemi qenë më parë jashtë vendit, por kemi qenë në nivel Kosove, dhe kur kemi shkuar në Tiranë, dhe si kemi shkuar në Tiranë në tavolina, juria na ka intervistuar çfarë projekti keni, çfarë e ndihmon komunitetin projekti, dhe senet për projektin që duhet të vlerësohen”, thekson Gashi.
“Pas vlerësimit nga juria, kemi shkuar në një sallë të pritjes, ku janë ndarë çmimet. Ato momente kanë qenë shumë emocionuese, derisa e kemi fituar medaljen e artë dhe të argjendtë”, thekson Salihu. “Pra jemi shumë të lumtur që i kemi fituar këto medalje. Dhe angazhimi ynë, me nxënës dhe me arsimtarin Hajriz, mendojmë se kemi me shku jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Ballkanit në kontinente të tjera për të marrë pjesë në gara”.
Rashiti është fort optimist se me suksese të reja do të kthehet nga Shtetet e Bashkuara. Ai dhe nxënësit kanë nisur tashmë punën në një projekt ambicioz, që do ta ketë formën e një qyteti me lumë. Pritjet i bazon në entuziazmin e dukshëm të nxënësve. “Tash, si të themi, është kallë atmosfera, dhe krejt duan të jenë pjesë e Grupit të teknologëve, por ne i zgjedhim vetëm pesëdhjetë më të mirët”.
Ylldriti e Eriku shpresojnë se medaljeve të sjella nga Shqipëria do t’u shtohen edhe të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.