Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se rreth 60 për qind e konsumatorëve në Kosovë nuk e tejkalojnë në asnjë muaj të vitit kufirin prej 800 kilovatë orë (kWh), prandaj kanë propozuar te Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos ketë rritje të çmimit për këtë kategori. Sipas ministres, vetëm 5 për qind e kalojnë këtë prag përgjatë gjithë vitit, ndërsa 35 për qind në disa muaj të vitit. Siç thotë ajo, për bllokun mbi 800 kWh, kanë propozuar rritja të jetë sa më e ulët, pa cenuar sigurinë e furnizimit.
Ministria e Ekonomisë ka propozuar shtim të blloktarifave për konsumin mbi 800 kilovatë të energjisë elektrikë në muaj dhe të mos ketë rritje për ata që shpenzojnë nën 800 kilovatë, në komentet dërguar ZRRE-së, ndaj propozimit të saj për shtrenjtim prej 15 për qind nga muaji prill. ZRRE-ja më 11 prill do të marrë vendim për çështjen e shtrenjtimit të rrymës.
Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së të martën, Rizvanolli ka thënë se nuk dëshirojnë rritje të çmimit për asnjë kategori, por theksoi nevojën për masa reale që mbrojnë sistemin energjetik dhe garantojnë furnizim të rregullt.
“Ka pasur shumë paqartësi në lidhje me rritjen e çmimit. Nuk dëshirojmë që të ketë rritje për askënd. Qëllimet tona kanë qenë që të japim propozime që në radhë të parë janë reale dhe jo parulla populiste, por të japim propozime që e ulin sa më shumë rritjen”, u shpreh Rizvanolli.
Ministria, siç thotë Rizvanolli, gjithashtu ka propozuar te ZRRE-ja në takimin e sotëm disa mënyra për të reduktuar nevojën për rritje të të hyrave, duke përfshirë rritjen e prodhimit nga Termocentrali Kosova B, blloku B2, pas intervenimeve që pritet të realizohen gjatë verës.
“Kjo pritet të ndikojë në uljen e importit për rreth 6 milionë euro, së bashku me faktorë të tjerë. Brenda këtyre tri vjetëve, me investimet që do t’i bëjmë në termocentralin Kosova B, importi në baza vjetore do të ulet për 20 mln euro dhe eksporti të rritet për 23 mln”, ka thënë ajo.
Rizvanolli ka përsëritur se do të vazhdojë angazhimi për mbrojtjen e familjeve të cenueshme, përmes një skeme që përfshin mbi 80 mijë familje me të ardhura nën 150 euro për anëtar dhe prona nën 100 mijë euro, e cila zbatohet nga tetori deri në mars.
Në takimin e sotëm, Rizvanolli ka kërkuar gjithashtu nga ZRRE-ja që të realizohen analiza më të thella për të vlerësuar nëse rritja e çmimit ka qenë e shmangshme, dhe nëse po, të mbahet përgjegjës operatori përkatës. Ajo ka theksuar se humbjet në rrjet arrijnë 15 për qind, shumë më tepër se norma mesatare në Bashkimin Evropian prej 5-6 për qind.
Sa i përket kritikave se subvencionimi i pajisjeve për efiçiencë ka rritur konsumin e rrymës, Rizvanolli ka thënë se kjo nuk qëndron. Sipas saj, mbi 20 mijë banesa e shtëpi shtohet në sistem çdo vit ndërkohë numri i bizneseve rritet për rreth 3 mijë në vit. Gjithashtu, ka theksuar se dimri që kaloi ka qenë më i ftohti në një dekadë.
Në fund, ministrja ka adresuar edhe çështjen e vjedhjes së energjisë, duke e quajtur atë vepër penale që nuk po ndëshkohet siç duhet.
“Vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale, nuk është dënuar sipas ligjit. Duhet ta marrin më seriozisht këtë institucionet e drejtësisë”, përfundoi ajo.