Arbëri

Rizvanolli: E çuditshme se si ndërmarrjet publike nuk u audituan me vite - Trepça për 10 vjet

Artane Rizvanolli

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, ka thënë se tek tash gjatë mandatit të saj i ka parë “nivelet e keqpërdorimit, mungesën e kontrollit e transparencën” në ndërmarrje publike.

Ajo ka renditur ndërmarrjet të cilat nuk janë auditur me vite nga Zyra Kombëtare e Auditimit, me Trepçën me më së shumti vite.

“Nuk mendoj që ka qenë e rastësisht që nuk e ka audituar Zyra Kombëtare e Auditimit. Jo vetëm Trepca, Trepca për më së gjati, por ndërmarrjet tjera nuk i kam për të gjitha prej 2012, por KEK-u për së paku 5 vjet nuk është audituar deri më 2022. Treca 10 vjet, Ibër-Lepenc së paku 6 vjet nuk është audituar nga ZKA-ja, KRU Mitrovica, KRU Hidrodrini, KRU Gjakova për nga 5-6 vjet”, ka thënë ajo në “Konfront”.


Rizvanolli: Telekomi vetëm në Arbitrazh me Z Mobile i ka humbur 60 mln €

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Telekomi vetëm në Arbitrazh me rastin e “Z Mobile” i ka humbur 60 milionë euro. 

Ajo ka shtuar se vetëm nga viti i kaluar deri tash Telekomit i janë marrë 22 milionë euro, teksa llogaritë po ashtu i janë bllokuar. 

“Vetëm prej kontratës së Z Mobile nga përmbarimi, vetëm gjatë viteve 2023-2024, Telekomit i janë marrë dhe po i merren, vazhdojnë t’i merren – derisa po flasim Telekomi i ka llogaritë e bllokuara dhe punëtorët nuk i kanë marrë pagat – 22 milionë vetëm më 2023-2024 nga rasti i Z Mobile. 22 milionë është kredia që e ka marrë nga Qeveria, sikur të mos kishte barrën e Arbitrazhit prej asaj kontrate të dëmshme, Telekomi do bënte investime të tjera. Vlera e humbur vetëm në arbitrazhe nga vetëm kjo kontratë me Z Mobile ka qenë 60 milionë euro ndër vite, ndërsa 150 milionë në total ka qenë kosto e kësaj kontrate nëse e shohim sa ka fituar Z Mobile nga Telekomi”, ka thënë ministrja. 


Rizvanolli: Kontraktori që po e rinovon kanalin e Ibër-Lepencit do ta mbulojë dëmin e sulmit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se për sanimin e dëmit të kanalit të Ibër-Lepencit nuk është bërë kontratë emergjente e se kontraktori që aktualisht po punon në kanal e mbulon edhe dëmin nga shpërthimi i 29 nëntorit, sipas kontratës ekzistuese. 

Ajo ka thënë se intervenimi i shpejtë ia ka shpëtuar Kosovës 2.2 milionë euro në ditë që do të mund t’i shpenzonte në importin e energjisë elektrike si pasojë e dëmit. 

“Nuk është bërë kontratë emergjente. Kontraktori që është aktualisht duke punuar në rinovim të kanalit, e ka marrë përsipër mbulimin. E dyta, në raste të tilla nuk do duhej të ishte ky fokusi kryesor dhe dyshimi kryesor, ky syri i të parit gjithçka me këtë dyshim pak më lë shije të keqe. Ibër-Lepenci ka arritur që brenda 7 orëve ta sanojë një kanal që është jetik. Ia ka shpëtuar shtetit të Kosovës vetëm një import të energjisë elektrike 2.2 milionë euro në ditë, në ditë për çdo ditë që kishim mbetë pa ujë. Brenda 48 orëve të tjera është bërë edhe një intervenim që ka zgjatur gjithë natën, që ka mundësuar ta mbajmë KEK-un në operim, pa e ndalur për asnjë minutë operimin”, ka thënë Rizvanolli në “Konfront”. 


Energjia e ripërtëritshme, Rizvanolli: Është bërë më shumë se për 20 vjet

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, derisa ka folur për energjinë e ripërtëritshme ka thënë se gjatë qeverisjes aktuale është bërë më shumë sesa për më shumë se 20 vjetët e kaluara.

E ftuar në “Konfront” të KTV-së, ajo ka numëruar disa nga projektet që i ka quajtur madhore, të cilat janë finaluar apo janë në proces gjatë këtij mandati të qeverisë. 

“Kriza energjetike ka qenë një sfidë tejet e madhe që ka marrë shumë kohë dhe energji. As vetë skam qenë e vetëdijshme derisa është stabilizuar situata. Jo detyrimisht ka ngadalësuar shumë procese. Nëse e marrim në kontekst kohor dhe të zhvillimeve, në një kohë të krizës së paprecedent që nuk ka ndodhur më herët në energji elektrike, është menaxhuar me shumë sukses dhe me shumë më pak pasoja sesa në rajon, kemi arritur që brenda këtij mandati të fillojmë rreth 50 MW projekte të ripërtëritshme dhe të baterive. Për krejt 20 e më shumë vjetët e kaluar, 200 e pak Megaëat janë ndërtuar përgjatë periudhës së pasluftës. Gjatë mandatit tonë kemi 100 MW në KEK, 100 MW të ankandit solar që e kemi përmbyllur sivjet, 50 MW termike për ngrohjen qendrore në Prishtinë, 170 MW në kapacitetin e baterive, 100 MW ankandi tjetër i erës që po e lansojmë. Këto janë vetëm projektet e mëdha për të cilat marrëveshjet apo tenderimi janë përfunduar ose janë në proces”, ka thënë ajo.


Rizvanolli: Mosfurnizimi i KEK-ut me ujë përmes Ibër-Lepencit, do të rriste importin ditor për 2.5 mln €

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se mosfurnizimi i KEK-ut me ujë përmes “Ibër-Lepencit”, do të shkaktonte rritje të importit për 2.5 milionë euro në ditë.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Rizvanolli ka thënë se dëmet që do të shkaktoheshin nga mosfurnizimi me ujë i Korporatës Energjetike të Kosovës përmes “Ibër-Lepencit”, do të ishin shumë të mëdha.

Ajo ka shtuar se ndërprerjet eventuale do të shkaktonin dëme tjera edhe në aspektin ekonomik. 

“Dëmet do të mund të ishin shumë të mëdha. KEK-u do të duhej të ndërpriste një apo dy blloqet e Termocentralit Kosova B, të cilat së bashku përbëjnë 60 për qind të gjenerimit të energjisë elektrike dhe 50 për qind të konsumit të energjisë elektrike përgjatë kësaj periudhë. Ndikimi do të ishte veçanërisht i madh. Nëse e vlerësojmë me një çmim të importit prej 200 euro për MW/h, siç ka qenë këto ditë mesatarja, kjo do të thoshte një import prej 2.5 milionë euro shtesë për një ditë. Mirëpo, ka pasur ditë në nëntor që çmimi ka shkuar në 800 euro për MW/h, kostoja vetëm e importit të energjisë do të ishte marramendëse, e edhe konsumi do të rritej si pasojë e humbjes së energjisë për ngrohje në Termokos në Prishtinë. Këto janë vetëm kosto direkte të furnizimit me energji elektrike, ndërsa ndërprerjet eventuale do të shkaktonin dëm shtesë ekonomik”, ka thënë ajo.