Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka akuzuar Serbinë se nuk po i zbaton marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në tryezën e diskutimit me rastin e publikimit të raportit të Instituti Demokratik të Kosovës (KDI), Rizvanolli ka thënë se Procesi i Berlinit është kyç në bashkëpunimin rajonal, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka vlerësuar se Kosova është shteti më proaktiv në rajon në kuadër të Procesit të Berlinit. Ka thënë se kjo mund të kuptohet me ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve. Rizvanolli ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka mirëpritur ringjalljen e këtij procesi.
“Nëse flasim për energjinë, një gjë që e kemi përjetuar gjatë gjithë kohës ka qenë që në këshill të ministrave kemi votuar apo jemi dakoduar për të thelluar bashkëpunimin, e nga ana tjetër ende jemi sot në një situatë ku për pesë vite Serbia s’lejon alokimin e kapaciteteve në linjat e transmisionit. Kjo është tregti bazike që u kushton qytetarëve të Kosovës dhe rajonit miliona”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Instituti Demokratik të Kosovës (KDI) ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim të moderuar në zbatimin e Planit të veprimit për tregun e përbashkët rajonal të Procesit të Berlinit.
“Kosova në kuadër të agjendës së reformave evropiane bëri përparim në zhvillimin e rrjetit 5G si pjesë e agjendës digjitale 2030”, ka thënë hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, duke shtruar nevojën për angazhim më të madh në kuadër të agjendës së gjelbër.
Ajo ka vlerësuar se Kosova ka bërë përparim edhe në miratimin e legjislacionit në kuadër të obligimeve të marra në këtë proces.