Festim Rizanaj, hulumtues në platformën për verifikim të fakteve “hibrid.info”, ka thënë se nga hulumtimi i përditshëm i publikimeve në media reale e ato sociale, është vënë re nisja e një parafushate dezinformuese zgjedhore.
Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai ka treguar se ka nisur qarkullimi i publikimeve keqinformuese që ngrisin apo ulin parti a kandidatë të caktuar.
“Kemi vënë re, atë që e kemi quajtur një lloj parafushate dezinformuese. Ka nisur të qarkullojë në mediat sociale, pra të publikohen sondazhe që ngrisin parti të caktuara apo i ulin apo se ky kandidat ka përkrahje nga ky person me peshë apo ai. Kanë nisur të qarkullojnë për qëllime të ngritjes, uljes së personalitetit a denigrimit të tyre, që të ndryshojë fryma aktuale në njërin drejtim apo tjetrin. Ka filluar një parafushatë e tillë dezinformuese në mediat sociale”, ka thënë ai.
Platforma “hibrid.info” të enjten ka publikuar raportin e dytë vjetor për çrregullimin informativ në Kosovë, për periudhën korrik 2023-qershor 2024. Kjo platformë në raport ka theksuar se kanë qenë 818 publikime me përmbajtje keqinformuese që i ka trajtuar në këtë periudhë. Raporti ka gjetur se dominojnë artikujt me tituj të bujshëm e mashtrues për të tërhequr klikime (“Clickbait”) me 22 për qind dhe artikujt e cilësuar si “Dezinformatë” me 21 për qind. “Clickbaits”, sipas raportit, kryesisht kanë pasur të bëjnë me artikuj në kronikën e zezë dhe temat sociale. Rizanaj ka deklaruar “Clickbaiti” po shkakton dëm te mediat sepse po e zbeh besueshmërinë e lexuesve në media.
91 për qind e keqinformatave kanë qenë nga publikues në gjuhën shqipe, tetë për qind nga ata në gjuhën serbe dhe një për qind në publikues në gjuhën angleze. Duke folur për qasjen e publikimeve në gjuhën serbe, Rizanaj ka thënë se publikuesit në këtë gjuhë kur publikojnë për Kosovën mundohen të krijojnë narrativa për kinse “planin e Prishtinës zyrtare për spastrim etnik të serbëve”.
“Çdo incident që ndodh në vendbanimet me serbë i jepet konotacion etnik”, ka thënë ai. “Për shembull ndodh një incident, thyhet një xham i një shkolle dhe nuk dihet kush e çka... Policia shkon në vendngjarje e trajton. Në media atje e shohim duke thënë se e kanë bërë ‘ekstremistët shqiptarë me qëllim për spastrim etnik’. Kjo është tendenca... Kjo është më thjeshta e pastaj u kthehen narrativave historike. Së fundmi iu kthyen masakrës së Reçakut se është inskenim”.
Rizanaj ka thënë se së fundmi kanë nisur të qarkullojnë dezinformata edhe për çështjen e Urës mbi Ibër.
“Për shembull ka pasur ide që Turqia qëndron prapa Kosovë, se e përkrah për hapjen. Franca ka bërë reagim që të mos ketë veprime të njëanshme e pati publikime gjoja se Macroni ka kërcënuar me heqjen e trupave franceze nga KFOR-i nëse hapet ura. Kryesisht në grupe e faqe në rrjete sociale me qindra shpërndarje. Reagimit gjoja i doli kundër Turqia ‘se ne jemi aty’. Po ashtu pati edhe publikime gjoja komandanti i KFOR-it që ka thënë se s’duhet pyetur kush për hapjen e urës se ajo është në Kosovë. Deklaratë e sajuar”, ka treguar ai teksa ka shtuar se deklarata dezinformuese ka pasur edhe nga krerët institucionalë në Serbi, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq e zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin.
Sa i përket keqinformatave për çështjet sociale, Rizanaj ka thënë se ato kryesisht lidhen me mashtrimet për kredi, kampanja të rreme e mashtrime me logo të institucioneve për kinse subvencionime të ndryshme.
Për dallim nga raporti i vitit të kaluar, hulumtuesi i platformës për verifikim faktesh ka thënë se sivjet në krye të fushave është siguria e vitin e shkuar ka qenë politika. “Është interesant, lufta në Gaza ka dominuar si tema kryesore e kryesisht përmbajtjet ishin të publikuara në media sociale”, ka thënë ai.