Ndryshimi i organizimit të punës nga tre turne në dy u bë “mollë sherri” mes disa xehetarëve dhe drejtorit të Minierës së Artanës. Kjo çoi në suspendimin gjashtëmujor të 7 punëtorëve. Minatorët thonë se nuk janë të sigurt, e drejtori i akuzoi për bojkot të punës
Shtatë punëtorë të Minierës së Artanës janë suspenduar nga puna për 6 muaj, me vendim të drejtorit Arben Ramadani.
Krejt kjo ndodhi pas pakënaqësive që shprehën ata lidhur me një ndryshim në organizimin e punës nga tre në dy turne.
Sylejman Gërbeshi, minator në Artanë, ka thënë se vendimi për suspendim iu kumtua përmes telefonit.
Thotë se nuk ka refuzuar punën, por vetëm ka dashur të dijë më shumë lidhur me vendimin e drejtorit.
“Kemi pritë, a ka qenë ora 2 apo 2 e 20 nuk e di, më ka thirrë Arbeni në telefon, drejtori, më ka pyet, Sylë a je ti?, i thashë po, më pyeti çka po bënë, i thash po ju presim juve për t’u informuar lidhur me ndryshimet, nuk po e dimë për çfarë. Më tha, ani prit aty por e kam një lajm për ty, je i suspenduar ti dhe dy Vrajollët”, ka thënë Gërbeshi.
E, Afrim Vrajolli, po ashtu minator i suspenduar, ka treguar se caktimi i tij në oraret e tjera e rrezikon, pasi sipas tij, udhëheqësit e këtyre turneve nuk janë të kualifikuar për pozitat që mbajnë.
“Ai nuk e din ku të çon, nuk e din rrezikshmërinë e minierës, nuk ka njohuri ai për atë punë, as nuk ka përvojë, as shkollim e as aftësi. Kështu që më mirë rri në shtëpi se sa ta rrezikoj jetën”, ka deklaruar Vrajolli.
Drejtori i Minierës, Arben Ramadani, ka mohuar akuzat e punëtorëve. Ai ka thënë se minatorët deshën t’ia bojkotojnë punën e prandaj u suspenduan.
Sipas tij, vendimi për shkrirjen e një ndërrimi të punës u bë për shkak të mungesës së punëtorëve.
“Kanë hy në grevë, duke e kundërshtuar vendimin për riorganizim të punës me dy ndërrime. Unë i kam thirrë në telefon dhe i kam treguar se vendimi është i prerë, ata që kundërshtojnë suspendohen. Punëtorët më kanë thirrë në telefon dhe më kanë thënë se tre punëtor po bëjnë presion dhe nuk po i lejojnë të vishen”, ka deklaruar ai.
Ekipi i KOHËS nuk u lejua nga drejtori Ramadani të xhirojë në hapësirën e Minierës së Artanës në fshatin Marec.
Miniera e Artanës funksionon në kuadër të “Trepçës” dhe nga aty nxirren xehe të plumbit dhe zinkut.