Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i marrë më 10 mars (dje).
Sipas të dhënave më të fundit, deri në orën 16:00 të martën janë rinumëruar 36 nga 50 vendvotime të përcaktuara për rinumërim. Konkretisht, nga 35 vendvotime të komunës së Vushtrrisë janë përfunduar 33, ndërsa nga 15 vendvotimet e komunave tjera janë rinumëruar 3.
Vendimi për rinumërim u mor pas konstatimit të mospërputhjeve në procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025. KQZ-ja fillimisht urdhëroi rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme, pasi në këto raste u gjetën mospërputhje mes numrit të nënshkrimeve në listën e votuesve dhe numrit të fletëvotimeve brenda kutive.
Më pas, KQZ-ja vendosi për rinumërimin e plotë të 35 vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë për shkak të mospërputhjeve në rezultatet e votimit.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të akredituar për të garantuar transparencën dhe integritetin e zgjedhjeve. Rinumërimi pritet të përfundojë në ditët në vijim, ndërsa KQZ do të bëjë publike rezultatet përfundimtare sapo të përmbyllet procesi.