Arbëri

Rinovimet dhe pajisjet e reja në QKUK s’e ulin numrin e referimit të pacientëve për trajtim jashtë vendit

Ka vazhduar të jetë katërshifror numri i pacientëve që secilin vit të mandatit të Qeverisë Kurti 2, janë referuar për trajtim jashtë sistemit publik shëndetësor. Gjatë 2014-s, nga buxheti i shtetit u shpenzuan rreth 12 milionë euro për rastet e referuara. Në Shoqatën e Pacientëve thanë se gjatë këtij mandati, Ministria ka bërë investime që nuk kanë prodhuar rezultate

Rinovimet në Qendrën Klinike Universitare nuk janë përcjellë edhe me reduktim të ndjeshëm të referimit të pacientëve për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, për të cilin pati shprehur pritje ministri i Shëndetësisë.

Bazuar në referime, mbi 1 mijë aplikime për çdo vit u adresuan në Fondin për Sigurime Shëndetësore gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë Kurti ll. Gjithsej gjatë kësaj periudhe u regjistruan 4 mijë e 675 aplikime.

Vetëm gjatë vitit 2024, nga QKUK-ja u referuan 1 mijë e 185 pacientë, shifër kjo më e lartë për rreth 100 pacientë sesa në tre vjetët paraprakë.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, ka thënë se Ministria ka bërë investime të gabuara, që nuk kanë prodhuar rezultate.

“Ajo që mua po më shqetëson vazhdimisht është që ministrat po fokusohen në investime kozmetike, të cilat po i sheh votuesi dhe mandej po synojnë të sigurojnë vota përmes tyre. Investimi në fasada nuk na sjellë...?”, ka thënë Kodra.

Kodra ka theksuar se institucionet publike nuk kanë arritur t’i realizojnë kërkesat dhe nevojat e pacientëve, edhe si pasojë e ikjes së personelit të kualifikuar, por edhe nga shkaku që nuk është investuar mjaftueshëm në aparatura.

“Investimi në aparatura po e vërejmë që është i kufizuar në rritjen e kapaciteteve. Ajo që duhet të bëhet janë thyerja e arrave të forta që janë sistemi informativ shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore të cilat e ndërrojnë mënyrën se si funksionon sistemi shëndetësor në Kosovë”, ka thënë Kodra.

Në Kosovë ende nuk është funksionalizuar sistemi i sigurimeve shëndetësore. Për pasojë, Qeveria mbështet pacientët që referohen nga sistemi publik për t’u trajtuar jashtë shtetit.

Numri i referimeve në katër vjetët e fundit dallon pak nga ai i periudhës 2017-2020, kur në Fond u dorëzuan 5 mijë e 821 aplikime. Megjithëkëtë, përgjatë kësaj periudhe është evidentuar ulje progresive e referimeve nga viti në vit – në 2017-n ishin 1 mijë e 989 raste, kurse në 2020 përgjysmë më pak, përkatësisht 964 raste.

Gjatë viteve 2017-2020, me numrin më të madh të referimeve printe Klinika e Kardiologjisë, e pasuar nga Klinikat e Oftalmologjisë, Onkologjisë, Ortopedisë e Pediatrisë.

Klinika e Kardiologjisë referoi 564 raste në vitin 2017. Klinika e Oftalmologjisë mbi 400 raste në vit. Klinika e Ortopedisë e Pediatrisë mbi 200 raste dhe e Onkologjisë mbi 100 raste.

Trendi ka ndryshuar në katër vjetët e fundit. Të dhënat tregojnë se Klinika e Kardiologjisë, ajo e Oftalmologjisë e edhe klinika e Onkologjisë kanë ulur ndjeshëm numrin e referimeve, në nën 100 raste.

E, ndonëse referimet nga Klinika e Pediatrisë dhe ajo e Ortopedisë kanë shënuar ulje, ato prijnë me numrin më të madh të referimeve për periudhën 2021-2024, pothuajse secilin vit me afër 200 referime të pacientëve. Ato pasohen nga klinika e Hematologjisë, ajo e Mjekësisë Nukleare dhe nga klinika e Mjekësisë Fizikale me mbi 100 referime. Në bazë të referimeve, këto klinika prijnë edhe për nga vlera financiare më e lartë e shpenzuar.

Vetëm gjatë vitit 2024, shteti ka shpenzuar mbi 3 milionë euro vetëm për 195 rastet e referuara nga Klinika e Pediatrisë. 1 milion e 303 mijë e 525 u shpenzuan për rastet e Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitim, e cila referoi 117 sosh. Me kosto që kap vlerën mbi 1 milion euro prinë edhe Klinika e Radiologjisë, Ortopedisë dhe Hematologjisë. E për të gjitha rastet, këtë vit u shpenzuan rreth 12 milionë euro.

Në QKUK nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me rastet dhe diagnozat e referuara jashtë vendit.

Në vitin 2022 KOHA raportoi për keqpërdorime të shumta në Fondin për Sigurime Shëndetësore. Deri në vitin 2023 borxhi i këtij institucioni ishte rreth 32 milionë euro, kryesisht ndaj spitaleve turke. Bazuar në raportin vjetor të 2024, ky borxh ka rënë në 14 milionë.