Pas dy ditësh është rikthyer furnizimi me ngrohje në Qendrën Komunale të Numërimit në Pejë. Në mungesë ngrohjeje, komisionarë e vëzhgues të ndërrimit të paradites nuk qenë prezentë në sallë të martën, për të vazhduar me procesin e numërimit të votave për kandidatë për deputetë.
Pushimin e Ditës së Pavarësisë e kanë vazhduar edhe për një ditë tjetër komisionarët dhe vëzhguesit e ndërrimit të paradites në Qendrën Komunale të Numërimit në Pejë.
Në mungesë të ngrohjes, komisionarët dhe vëzhguesit të martën nuk janë paraqitur në këtë qendër për të vazhduar procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Nga 14 shkurti, kur ka filluar procesi i numërimit të votave për kandidatë për deputetë, vetëm 37 prej 95 kutive të numërimit janë përfunduar në qendrën e numërimit në palestrën sportive “Karagaq” në Pejë.
Një pllakë e vogël është bërë shkak për mosfurnizimin me ngrohje, që nga dita e diel. E problemi është evituar dhe ndërrimi i pasdites e ka nisur punën të martën.
“Stafi teknik është zotuar se pjesën do ta gjejë deri në orën 16:00, në mënyrë që të vazhdojë numërimin”, ka thënë Faik Zekaj, zëdhënës në Komunën e Pejës.
E menaxheri i Qendrës Komunale të Numërimit në Pejë, Egzon Gjuka, ka thënë se ngrohja është ndërprerë, shkaku i sistemit të vjetër.
“Nxemja është e vjetër kur është ndërtuar palestra në vitet e 60-ta dhe që nuk është ndërruar që atëherë. E jona është që t’ua mundësojmë kushtet atyre që t’i kenë kushtet adekuate që t’i numërojnë votat”, ka thënë ai.
Për probleme me ngrohje në këtë qendër, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë fajësuar autoritetet komunale.
“Më shumë duhet të shqetësohet Komuna e Pejës sepse e ka në menaxhim palestrën e sporteve, sepse 13 vjet me qenë në pushtet dhe mos me arrit një ngrohje stabile është mëkat i madh”, ka theksuar Berat Ganiqi, shef i asamblistëve të LVV-së në Pejë.
Salla e sporteve “Karagaqi” në Pejë, e cila është shndërruar në Qendër Komunale të Numërimit të votave, ka pasur telashe me ngrohje edhe javën e kaluar.
Në komunën e Pejës të drejtë vote për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kanë pasur rreth 115 mijë qytetarë.
