Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, rindezi betejën diplomatike me Greqinë, duke iu referuar vendit në krye të të cilit u vendos me emërtim jokushtetues. Njohës të zhvillimeve thonë se kjo qasje e presidentes është konfirmim i qëndrimeve që VMRO-DPMNE-ja ka shpalosur para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. Ata kanë shprehur shqetësim edhe me qëndrimet e partive shqiptare kur vjen puna te ndryshimet kushtetuese, të cilat është e obliguar t’i bëjë Maqedonia e Veriut për t’u integruar në BE
Në ceremoninë e mbajtur të dielën, Gordana Siljanovska-Davkova e quajti vendin vetëm si "Maqedoni", duke mos e respektuar Kushtetutën, ku, sipas saj, emri i këtij shteti është "Maqedonia e Veriut".
Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut shkaktoi polemika të shumta që në inaugurimin e saj, duke u rikthyer tek mospajtimet diplomatike me Greqinë.
Në ceremoninë e betimit Davkova e shmangu emërtimin e ri kushtetues “Maqedonia e Veriut” duke iu referuar me vetëm Maqedonia. Kjo bëri që ambasadorja greke, Sophia Philippidou, të largohej para kohe nga ceremonia e inaugurimit. Ministria e Jashtme greke më vonë lëshoi një deklaratë, duke thënë se veprimet e presidentes së re shkelin marrëveshjen midis dy vendeve dhe vënë në rrezik marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën e Maqedonisë së Veriut për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Betohem se do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, kishte deklaruar Davkova duke lexuar betimin si presidente para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
Për këtë veprim, Davkova u kritikua edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka quajtur jo të duhur zgjedhjen e fjalëve të Siljanovska-Davkovas.
“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është parësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Pak orë më vonë, Von der Leyeni ka uruar zgjedhjen e presidentes së re.
“Urime për Gordana Siljanovska-Davkova, që u bë presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut. Udhëheqja juaj vjen në momentin vendimtar, derisa vendi juaj përparon në reforma dhe vazhdon rrugën drejt BE-së”, thuhet në shkrimin e saj.
Kundër deklaratës së saj në ceremoninë e inaugurimit ka dalë edhe Bullgaria. Ministri i Jashtëm bullgar, Dimitar Glavçev, ka thënë se vendi i tij nuk pranon deklarata që bien ndesh me Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.
“Bullgaria në mënyrë të përsëritur dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze”, ka thënë Glavçev.
Përdorimi i emrit "Maqedonia" provokon një reagim të fortë grek, pasi Greqia akuzonte fqinjin e saj verior se e ka përvetësuar emrin nga historia e Mbretërisë së Lashtë Greke të Maqedonisë, e cila ka ekzistuar para popullit sllav.
Pas reagimeve të shumta, kabineti i Davkovas e arsyetoi fjalimin e presidentes së re.
“Presidentja maqedonase në daljet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin 'Maqedoni', si akt i së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”, thuhet në sqarimin e Presidencës së Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, kanë konfirmuar se presidentja Gordana Siljanovska-Davkova do t'i përmbahet përdorimit zyrtar të emrit kushtetues.
Njohës të zhvillimeve thonë se kjo qasje e presidentes është konfirmim i qëndrimeve që VMRO-DPMNE-ja ka shpalosur para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.
“Pala maqedonase, përkatësisht VMRO-DPMNE ishte e paqartë para zgjedhjeve se si do ta zhbllokojë procesin e integrimeve evropiane. Për momentin Maqedonia e Veriut nuk është e bllokuar nga asnjë shtet, por jemi në pozitë vetëbllokimi. Nuk ka asnjë parakusht tjetër që duhet ta plotësojmë ne si shtet për t’i hapur kapitujt. Fatkeqësisht ka afro 18 muaj, ose gati dy vjet që jemi në fazën e vetëbllokimit. VMRO-DPMNE nuk paralajmëronte se do t’i bllokonte proceset dhe thoshte se ka përkushtim për integrimet evropiane, por e anashkalonte zhbllokimin e ndryshimeve kushtetuese. Inaugurimi i kryetares Siljanovska e vërtetoi atë qëndrim të tyre duke refuzuar t’i drejtohet shtetit me emrin e ri kushtetues”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, e njëjta gjë si me inaugurimin e presidentes mund të përsëritet me themelimin e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Nga kjo situatë, Musliun më shumë e shqetëson sjellja e subjekteve shqiptare.
“Para ditës së zgjedhjeve kishte një insistim të madh për ndryshimet kushtetuese, bile shumë liderë të VLEN-it dhe të Frontit Evropian paralajmëronin se nuk do të participonin në një qeveri e cila nuk e bën ndryshimin kushtetues e pastaj ta formojë qeverinë. Ditët e fundit shohim një spin politik, relativizim të atyre qëndrimeve, që mund të sjellë që kjo edhe të mos ndodhë, edhe Maqedonia të hyjë në një cirk siç e kishim me Qeverinë e Gruevskit, ku na u deshën mbi 11 vjet që të bëhemi anëtar të NATO-s”, është shprehur Musliu. “Kjo do të duhej të ishte tema kryesore, jo të luftojnë partitë shqiptare se kush e ka marrë vendimin e shqiptarëve. Nuk shoh ndonjë energji të shprehur nga të dyja palët që koncentrohen në pikat kryesore që riafirmojnë qëndrimin e tyre. Ndryshim i Kushtetutës për të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.
Me gjithë përparimin që ka shënuar Maqedonia e Veriut vitet e fundit, Musliu nuk e përjashton mundësinë që të ketë tendenca për rikthimin e polarizimeve ndëretnike.
“Jemi në një auto-stop, në momentumin kur bëhen ndryshimet kushtetuese si parakusht për hapjen e kapitujve me Bashkimin Evropian. Prandaj subjektet shqiptare duhet të insistojnë te kjo çështje e jo se kush do të jetë në qeverinë e re. Të ketë një qëndrim të përbashkët për këtë, pastaj të flitet për pjesëmarrjen në qeveri”, ka theksuar ai.
Qasja e VMRO-DPMNE-së, sipas Musliut, mund të ketë edhe implikime rajonale në raport me Kosovën.
“VMRO ka pasur qëndrime jokonstante. Në qeverisje me BDI-në e pranoi pavarësinë. Por na kujtohet se Kurti ishte ndaluar një kohë, pa arsye të justifikueshme. Uroj të mos kthehemi në vitet 2006 apo më vonë, ku ka pasur shprehje të theksuar të nacionalizmit. Nëse qeveria e re shkon mbrapsht prej atyre që janë arritur, sigurisht se do të ketë reagime nga qytetarët shqiptarë, por besoj edhe nga elita politike shqiptare”, ka thënë ai.
Presidentja Vjosa Osmani në urimin që i kishte bërë homologes maqedonase ia ka përmendur perspektivën evropiane.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore dhe ndajnë një angazhim të fortë drejt integrimit euroatlantik. Mezi pres të punojmë me presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut”, ka shkruar Osmani në platformën “X”.
Në mënyrë që të ecë përpara me hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE, Maqedonisë së Veriut po i kërkohen ndryshimet e tjera kushtetuese, përkatësisht përfshirja e komunitetit bullgar në aktin më të lartë juridik.