Arbëri

Rikujtimi i Puseve të vdekjes

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Gjaku gjithandej nëpër tokë ia shoi Jetonit të gjitha shpresat se do ta gjente të gjallë vëllanë gjashtëmbëdhjetëvjeçar, Minah Kuqi.

Nëpër gozhdët e hunjve të nxjerrë të rrethojës kishin ngelur copa të rrobave të viktimave. Jetoni shpresonte t’ia gjente së paku trupin e pajetë. Ia gjeti vetëm njërën dorëz dhe shallin e përgjakur, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gjurmët e gjakut përtokë e çuan përpjetë pyllit të kushëririt Adem Kuqi, i cili nuk e kishte shpuar më thellë se gjashtë metra pusin e parë, pasi nuk po dilte uji. Në të dytin, nja dhjetë metra më poshtë, ende ishin shkallët në mëngjesin e 24 marsit 1999, kur burrat dhe djemtë e fshatit po mundoheshin të shpëtonin prej forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe që e rrethuan Kotlinën prej katër anëve.

“Bile, dikush kish pas thanë me u fsheh në bunar se ende ishin kanë shkallët e ujë s’ka pas”, thekson Jeton Kuqi në vendin ku dikur ishin shpuar dy puset e thata. “Por dikush kish pas thanë: ‘Ma mirë po ikim përpjetë se po na zanë në bunar’”.

“Ka qenë e vështirë me gjetë vëllanë pa kokë”

Maje kodre, 22 djem, burra e pleq ranë në kurthin e forcave të regjimit të Slobodan Milosheviqit, që kishin hyrë edhe prej anës së epërme. Serbët po kërkonin edhe burra të tjerë të fshatit. Jeton Kuqi qëndroi 24 orë në pyll – herë duke u fshehur nën dushk e herë prapa dëllinjave. Moti ishte i ftohtë. Plumbat i fluturonin mbi kokë.

Sa ishte me dy bashkëfshatarë nën dushk, policët i kaluan fare pranë. “Jo më larg se tri-katër metra”, thekson Kuqi. Poshtë në një shtëpi të vjetër, Nexhat Loku dhe dy bashkëfshatarë ishin fshehur në hambarin e një shtëpie të vjetër të pabanueshme. Mbyllja e qepenave që ta errësonin dhomën do t’ua shpëtonte jetën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)