Në Kosovë janë shprehur pritjet që emisari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ta kthejë besimin e palëve në proces dhe të ofrojë më shumë qartësi për rrugën përpara drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. E, analisti Arbnor Sadiku ka vlerësuar se fuqinë imponuese mund ta kenë vetëm SHBA-të.
Rikthimi i dialogut në binarët e zbatimit të marrëveshjeve, është vlerësuar nga njohës të procesit të dialogut si hap i domosdoshëm që duhet marrë emisari i ri i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen.
Sipas analistit Arbnor Sadiku, hapi i parë që duhet ndërmarrë është rikthimi i besimit të palëve në proces, si dhe ulja e tensioneve.
“Mendoj që përfaqëson një legjitimitet të ri të institucioneve të BE-së, ky me zonjën Kallas, ku pritet që të ketë njëfarë lloj riformatizimi ose prekshmëri e rezultateve të para, sepse jemi në vitin e dytë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, e le të themi praktikisht zero rezultate në zbatim të kësaj marrëveshje”, ka thënë ai.
E politikania serb, Rada Trajkoviq, duke iu referuar përvojës së Sorensenit, thotë se ai do të sjellë cilësi të re ne negociata.
“Mjerisht, disa negociatorë kanë qenë të prirë edhe për korrupsion dhe kjo ka ndikuar në cilësinë e negociatave, për të cilat qytetarët e Kosovës, si serbët ashtu edhe shqiptarët, pothuajse asgjë nuk kanë ditur, por kanë sjellë shumë antagonizma dhe largime prej njërit, prej tjetrit. Dhe në vend të normalizimit, ne kemi segregim të qytetarëve që është gjë e keqe për të ardhmen e, pikë së pari, për rajonin”, ka deklaruar Trajkoviq.
Krahas lidershipit të ri në BE-së, ende mbetet i paqartë niveli i përfshirjes së SHBA-ve në dialogun Kosovën-Serbi, me administratën e re të Trumpit.
Tek i referohet qasjes së provuar në mandatin e parë nga presidenti amerikan, Sadiku vlerëson se ai mund të jetë më këmbëngulës që të dyja shtetet t’i normalizojnë marrëdhëniet.
“Pres reflektime konkrete edhe mbi Kosovën ose rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të shkohet me gjëra konkrete dhe praktikisht të detyrohen palët, në këtë rast Kosova dhe Serbia, që në rast se nuk do t’i zbatojnë marrëveshjet, do të kenë pasoja jo vetëm lidershipi i dy vendeve, por natyrisht edhe vetë shtetet, duke i ndaluar ndihmat amerikane”, ka thënë Sadiku.
SHBA-ja deri tash i ka dhënë mbështetje dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke mos emëruar një emisar të posaçëm. Në mandatin e parë Trumpi e pati caktuar Richard Grenellin të dërguar special, me ndërmjetësimin e të cilit Kosova e Serbia patën arritur marrëveshje për normalizim ekonomik.