Arbëri

Rikonstruktimi i sheshit në Vushtrri shuan 10 biznese

Punimet e nisura në marsin e shkuar për rikonstruktimin e Bulevardit “Adem Jashari” në Vushtrri kanë ndikuar që të mbyllen rreth dhjetë biznese. Në shoqatën e bizneseve thanë se mbyllja është bërë, meqë ka rënë puna. Derisa për këtë çështje, niveli lokal u kritikua nga opozita, në Komunë thanë se pas përfundimit të projektit dyvjeçar, do të jenë bizneset ato që do të përfitojnë

Rreth dhjetë lokale e biznese kanë pushuar aktivitetin brenda këtij viti në zonën përreth bulevardit “Adem Jashari” në Vushtrri, ku tash e një viti janë duke u zhvilluar punime të rikonstruktimit. 

Tek e konfirmuan këtë shifër, përfaqësues të shoqatës së bizneseve në këtë komunë thanë se mbyllja e bizneseve është pasojë e rënies së nivelit të punës, shkaku i punimeve.

Alush Jusufi, pronar i një kompanie taksish, ankohet se punimet ia kanë pamundësuar ushtrimin e aktivitetit në këtë pjesë të qytetit.

“Ne e shohim shumë të pavend, sepse ka dëme të mëdha në biznese, sepse në këtë pjesë shumë lokale janë mbyllur. Unë punoj këtu dhe neve na ka shkaktuar telashe, na ka humbur punën. Shumë është e paarsyeshme. Punimet duhet të përfundojnë sa më shpejtë, sepse tek ne asnjë punë nuk përfundohet me afat të caktuar”, ka thënë Jusufi.

Pronarë të bizneseve që janë në funksionim nuk pranuan të flasin publikisht, por pranuan se kanë telashe dhe konfirmuan që shumë lokale janë mbyllur.

Për këtë çështje, kritika ndaj qeverisjes lokale adresoi Adnan Lahu, shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë. 

“Është bërë një projekt shumë i kushtueshëm për Komunën e Vushtrrisë. Përpos kostos së këtij projekti, është edhe mosfunksionimi i bizneseve në këtë zonë të sheshit. E shohim që ato biznese për më shumë që një vit nuk funksionojnë fare dhe shumë prej tyre janë mbyllur gjatë kësaj periudhe”, ka thënë Lahu.

Ndonëse nuk i komentuan kritikat e shprehura, në Komunën e Vushtrrisë thanë se pas përfundimit të projektit dyvjeçar, niveli i punës për bizneset do të rritet. 

“Do të jetë një shesh modern për qytetarët e Vushtrrisë. Sa u përket bizneseve, ndërtimi i sheshit do të jetë një ndihmë shumë e madhe, pasi sheshi do të ketë një pamje të e re dhe do të ndikojë që frekuentimi i qytetarëve të jetë më i madh edhe në lokalet që gjenden aty”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Komunës.

Punimet për rikonstruktimin e bulevardit kanë nisur në mars të vitit të shkuar dhe parashihet që të përfundojnë vitin e ardhshëm. Për këtë projekt, Komuna ka ndarë 2.7 milionë euro.