Arbëri

Rikonfirmohen përçarjet në degën e PDK-së në Drenas

Disa orë pasi kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se Dega e PDK-së në Drenas është më e bashkuar se kurrë, dy anëtarë të kryesisë u distancuan nga mbledhja, në të cilën Lladrovci u zgjodh shef i shtabit zgjedhor për këtë komunë. Veç akuzës për moskonsultim para se të përfshihen në listën e shtabit zgjedhor, anëtarët e kryesisë, Petrit Hajdari e Fadil Demaku thanë se po tentohet personalizimi i procesit nga grupe të caktuara

Caktimi i shtabit zgjedhor të Partisë Demokratike në komunën që konsiderohet bastion i saj, ka shpërfaqur përçarjet brenda kësaj partie. Në mbledhjen e së enjtes, kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci u zgjodh Shef i Shtabit Zgjedhor. Përmes një njoftimi në “Facebook”, Lladrovci tha se “Dega e PDK-së në Drenas është më e bashkuar se asnjëherë më parë”

“Në mbledhjen e kryesisë së Degës, strukturave dhe nëndegëve, në pajtim me Statutin e PDK-së, trajtuam katër pika të rendit të ditës. Njëzëri, të gjitha propozimet nga listat u aprovuan, pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim. U themelua Shtabi zgjedhor i Degës, u themeluan shtabet e nëndegëve dhe emëruan koordinatorët nga dega për nëndegë”, ka shkruar Lladrovci tek ka listuar emrat e tjerë të votuar në mbledhje.

Por disa orë më vonë, dy prej emrave të propozuar u distancuan nga vendimmarrja tek akuzuan për tentim të personalizimit të proceseve brenda partisë. 

Petrit Hajdari që është anëtar i Kryesisë Qendrore të PDK-së tha se caktimi i tij udhëheqës i Sektorit për Koordinim me Diasporë, pa konsultim paraprak, reflekton të kundërtën e asaj që duhet të jetë kjo parti.

“Pa fijen e dyshimit që me çdo pjesë të qenies sime, si anëtar i Kryesisë Qendrore dhe si anëtar i PDK-së, unë do ta jap kontributin tim për fitoren e PDK-së. Por, i bëj me dije të gjithë që unë nuk mund të bëhem pjesë e organizmave që në vend se t'i luftojnë përçarjet, përpiqen t'i mbulojnë ato”, ka thënë Hajdari. “Këtu kemi të bëjmë me tentim për të personalizuar proceset brenda partisë, prandaj unë nuk mund t'i kontribuoj kësaj ideje, sepse nuk besoj në të. Nuk do të jem në asnjë pozitë të një shtabi të tillë zgjedhor, por do të jem siç kam qenë çdo herë, kontribuues me gjithë çka kam e çka jam, për PDK-në dhe Bedri Hamzën kryeministër”. 

Edhe Fadil Demaku tha se askush nuk e ka konsultuar për ta emëruar udhëheqës të Sektorit për Koordinim me grupet e interesit.

“Unë vërtetë jam me PDK-në dhe atë në kontinuitet prej kur është formuar. Gjithherë jam angazhuar për unitet dhe përfaqësim sa më të mirë. Gjë që do ta bëj edhe në të ardhmen. Por, unë kam integritetin tim dhe nuk dua të më keqpërdoret emri për qëllime të caktuara dhe interesa grupore, qofshin edhe brenda vetë PDK-së. Nëse është e nevojshme që unë të jem pjesë e strukturave të tilla organizative ,së pari të më kontaktojnë kandidati ynë për kryeministër z. Bedri Hamza dhe kryetari Memli Krasniqi”, ka shkruar Demaku.

E në selinë e Partisë Demokratike në Prishtinë nuk i kanë komentuar zhvillimet në degën e Drenasit.