Një raport i përpiluar nga Instituti Riinvest vlerëson se 1.3 miliard euro të planifikuara për investime kapitale kanë mbetur pa u shpenzuar që nga viti 2019. E për mundësinë e përfitimit më të madh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, gjatë prezantimit të këtij raporti kanë folur edhe përfaqësues të saj, të cilët thanë se Kosova mund të përfitojë më shumë
Në pesë vjetët e fundit, 1.3 miliard euro të parapara nga Buxheti i Kosovës për investime kapitale nuk janë shpenzuar, ka konstatuar Instituti Riinvest në raportin me titull “Si të dilet nga kurthi i rritjes së pamjaftueshme ekonomike dhe si t’i bëjmë investimet më të frytshme?”, i publikuar të enjten.
Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i këtij instituti ka theksuar se këto gjetje janë shqetësuese.
“Shqetësuese sipas këtij raporti është mungesa e investimeve kapitale. Nga viti 2019 deri në vitin 2023, rreth 1,3 miliard euro të planifikuara për investime kapitale nuk u shpenzuan. Investimet publike: rritje nga 789 milionë euro në vitin 2019 në 857 milionë euro në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1,3 miliard euro të planifikuara për investime kapitale nuk u shpenzuan”, ka thënë ai.
Hashani ka thënë po ashtu se ndërmarrjet publike në përgjithësi nuk e kanë rritur performancën e tyre, ndonëse në to janë shpenzuar 307 milionë euro në pesë vjetët e fundit.
“Pavarësisht këtyre investimeve, performanca e shumicës së këtyre ndërmarrjeve ka mbetur e njëjtë. Në total prej 59 milionë eurosh të transferuara nga Qeveria e Kosovës, vetëm rreth 9.4 milionë euro janë dhënë për investime kapitale, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga subvencionet”, ka shtuar Hashani.
E Sergiy Maslichenko, shef i Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), ka theksuar se Kosova mund të përfitojë shumë më shumë sesa ç’përfiton aktualisht nga investimet e këtij institucioni.
“BERZH-i në Kosovë ka investuar 90 milionë euro në vit dhe është një shifër e mirë, por megjithatë mund të bëhen edhe 200 e 300 pse jo, që mund të krahasohet mandej me shtetet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut apo Bosnja që bëjmë dy-trefish më shumë atje për shkak të infrastrukturës së rrugëve, infrastrukturës së binarëve e energjisë elektrike e kështu më radhë. Edhe me Qeverinë e Malit të Zi kohëve të fundit kemi më shumë biznese sesa që kemi në Kosovë, sepse qeverisja atje ka një agjendë të qartë dhe shumë projekte me ta. Baza kryesore këtu në Kosovë është me kompanitë e vogla dhe të mesme nëpërmjet linjave kreditore”, ka thënë ai.
Në këtë diskutim, në kuadër të Forumit Ekonomik Vjetor 2024 të Riinvestit është thënë po ashtu se shqetësues është përkeqësimi i bilancit tregtar dhe niveli i ulët i pjesëmarrjes në tregun e punës.