Estonezi Riho Terras pritet të jetë raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Këtë për KOHËN e kanë thënë burime të Parlamentit Evropian, duke tërhequr vërejtjen se akoma nuk është zyrtarizuar emërimi i tij.
Tash duhet të pajtohen deputetët nga radhët e Partisë Popullore Evropiane që janë në Komision për Politikë të Jashtme. Grupet parlamentare nga radhët e partive politike u pajtuan mes vete si të ndahen postet e raportuesve për vendet e Ballkanit Perëndimor. Secili grup pas këtij duhet të emërojë një raportues. Grupit më të madh, atij të Partisë Popullore Evropiane, i takoi posti i raportuesit për Kosovën. Deri tash, për pothuajse 20 vjet, gjithmonë raportues për Kosovën ka qenë nga radhët e të Gjelbërve.
Së fundi ishte Viola von Cramon.
Terras është ish-ushtarak nga Estonia. Ishte deputet i fundit në përbërjen e Parlamentit Evropian. Nëse konfirmohet, ai do të jetë estonezi i katërt që pritet të merret me Kosovën në strukturat e Bashkimit Evropian. Kaja Kalas do ta zëvendësojë Josep Borrelin në postin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, drejtor menaxhues në shërbim të jashtëm pritet të jetë estonezi Mattia Masikas, ndërsa ambasador i BE-së në Kosovë është po ashtu estonez, Aivo Orav.
Ndërkohë grupimit të socialistëve u ka takuar posti i raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian. Në këtë post është emëruar Tonino Picula i Kroacisë. Emërimi i tij shkaktoi pakënaqësi në radhët e pushtetit në Serbi.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar këto nominime gjatë një prononcimi për gazetarë.
“Nuk nxitoj të komentoj. Do të flasim me të dhe të punojmë me të. Por, ne e kuptuam shumë mirë mesazhin e Parlamentit Evropian”, tha Vuçiq, transmeton “Tanjug”.
Ai tha se nuk e ka problem se “Picula është kroat, por me pikëpamjet e tij”.
E sa i përket emërimit të estonezëve në disa prej pozitave kryesore, Vuçiq tha se "është e çuditshme".
“Ju e dini se Kaja Kalas, është shefe e Sigurisë dhe e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Njeriu kryesor është Mattia Masikas, po ashtu nga Estonia. Tashmë janë dy nga Estonia. E dini kush është njeriu kryesor, si raportues në Parlamentin Evropian për të ashtuquajturën Kosovë? Prapë një estonez. Shumë e çuditshme. Po mirë, e ne na kanë dhënë një kroat”, tha Vuçiq.
Roli i raportuesit është të përgatisë raporte vjetore për progresin e vendeve të zgjerimit në përmbushje të kritereve për të avancuar drejt BE-së.