Fluturimet në aeroportin e Kukësit kanë rifilluar pas afro 6 muajsh ndërprerjeje.
Kompania “Air Albania” ka rinisur të hënën fluturimet nga aeroporti “Zayed – Flatra e Veriut”, por kësaj radhe për herë të parë me fluturime direkte drejt Bazelit të Zvicrës, pas një sezoni të suksesshëm vitin e shkuar, nga i njëjti aeroport drejt Zyrihut.
Fluturimet nga Bazeli në Zvicër u organizuan të shtunën në Bazel ku në inaugurimin e tyre ishte i pranishëm shefi ekzekutiv i Air Albania, Sinan Dilek.
Aeroporti i Bazelit, “EuroAirport” organizoi pritjen për 128 pasagjerët e parë duke shënuar kështu edhe një tjetër sukses për “Air Albania”, pasi fluturimi u shit në kapacitetin e tij të plotë.
Janë bërë rreth 6 muaj që në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” nuk ka pasur asnjë fluturim të programuar.
Sipas faqes së internetit të Aeroportit të Kukësit , shërbimet në këtë aeroport janë ndalur plotësisht që prej 21 tetorit të vitit kaluar.
Dy kompanitë ajrore “Air Albania” dhe ajo zvicerane “Helvetic Airëwys” që kanë kryer fluturime duke filluar nga korriku i vitit 2021, nuk kanë programuar fluturime të tjera.
Ndërkohë që “Air Albania”, rifilloi fluturimet, por kësaj radhe me destinacion Bazelin. Ndërkohë që në muajin maj, në Aeroportin e Kukësit do të fillojë fluturimet pandërprerë përmes kompanisë “Wizz Air”, me 4 destinacionet e para drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, fillimisht nga dy herë në javë.
Aeroporti i Kukësit tashmë është i ndriçuar dhe me rifillimin e fluturimeve, aeroporti është në funksion përgjatë 24 orëve.
Megjithëse është i ndërtuar në Kukës, ky aeroport rajonal është i orientuar kryesisht në tregun e Kosovës, ku 80% e pasagjerëve që do të fluturojnë në këtë aeroport, parashikohen të jenë nga Kosova.
“Rreth 80% e pasagjerëve që kanë fluturuar përmes aeroportit të Kukësit janë nga Kosova dhe kjo përqindje parashikohet edhe në të ardhmen. Ndaj jemi të orientuar drejt atyre linjave që fluturojnë më së shumti pasagjerët nga Kosova”, tha për KOHËN, shefja e marketingut të Aeroportit të Kukësit, Xhesika Peço.
Këtë fakt e ka bërë të ditur edhe drejtori i përgjithshëm i Wizz Air Group, József Váradi, i cili deklaroi se Wizz Air e sheh tregun jo vetëm të kufizuar si treg shqiptar, por si një qasje rajonale duke përfshirë edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut.
“Në muajin maj nga Kukesi Wizz-Air do të lidhet me Vjenën, me Mynihun me Karlsruhe/Baden-Baden dhe me Basel-Mulhouse, vende këto ku më së shumti udhëtojnë qytetarët nga Kosova”, deklaroi me 4 shkurt në Kukës, József Váradi, drejtor i “Wizz Air”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se është marrë konfirmimi nga NATO për Aeroportin “Zayed-Flatrat e Veriut”. Ajo u shpreh se Aeroporti është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s dhe se plotëson të gjitha kërkesat e sigurisë teknike.
"Ky është një aeroport rajonal që mbulon nevojat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Dje kemi marrë një konfirmim nga NATO për këtë aeroport, është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s, kjo tregon se ky aeroport plotëson të gjitha kërkesat e sigurisë teknike", tha Balluku.
Aeroporti i Kukësit ka përfunduar që në tetor të vitit 2007 pas një granti prej 30 milionë dollarë nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara, megjithatë nuk është vënë asnjë ditë në funksion.
Megjithë përurimin në qershor të vitit 2010, ky Aeroport është konsideruar i papërfunduar për të arritur standardet e kërkuara nga Rregullorja e Ministrisë Transportit Nr.130 datë 09.11.2012 “Për certifikimin dhe regjistrimin e Aerodromeve”, dhe kishte nevoje për investime shtesë.
Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë ka miratuar më 19 mars të vitit 2019 nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit për “Rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”. Procesi i tenderimit u krye në dhjetor 2018 dhe fitues doli Bashkimi i Përkohshëm i Operatorëve “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. (Pjesë e “Kastrati Group”)dhe “Bami” sh.p.k. që investuan rreth 10 milion euro për vënien në punë të tij.