49 për qind e qytetarëve janë shprehur se nuk janë të kënaqur se si është duke u zhvilluar procesi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në raportin e Institutit Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, RIDEA, 80 për qind e pjesëmarrësve kanë kërkuar përfshirjen grave në procesin e dialogut.
Qytetarët e Kosovës janë të pakënaqur me rrjedhën e procesin të dialogut Kosovë-Serbi, thotë një raport i bërë nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, RIDEA.
Në mesin e 1108 pjesëmarrësve në pyetësor, 49 për qind e tyre janë shprehur se nuk janë të kënaqur se si është duke u zhvilluar procesi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Por, sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pakënaqësitë e qytetarëve rrjedhin nga mungesa e rezultatit të dalë nga dialogu.
“Ajo që prezantuat se sa janë qytetarët të pakënaqur me dialogun, po them qartë se pa këtë hulumtim tuajin unë nuk mendoj që ka qytetarë, por as politikanë, as shoqëria civile që është i kënaqur me procesin e dialogut dhe me stërzgjatje e dialogut. Dialogu ka filluar në vitin 2011, sot jemi në vitin 2024, i kemi 13 vjet dialog dhe cili është rezultati. S’ka rezultat”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Në raport është thënë se 80 për qind e pjesëmarrësve janë përgjigjur se Qeveria duhet të bëjë përpjekje që të përfshijë gratë në këtë proces.
E partitë opozitare PDK dhe LDK kanë vlerësuan se përfshirja e grave në dialog është e domosdoshme, pasi theksuan se nuk ka pasur përfshirje të grave që kur procesi u udhëhoq nga Edita Tahiri.
“Siç e dimë të gjithë, dialogu është udhëhequr nga zonja Edita Tahiri, që cila solli ekspertizë të shkëlqyeshme në menaxhimin e politikave të jashtme dhe një përkushtim të madh në forcimin e pozitës së Kosovës në dialog. Ajo e ka pasur mbështetjen dhe respektin e plotë të qeverisë së Kosovës. Po ashtu ajo ka mbajtur qëndrim të palëkundur ndaj qeverisë së Serbisë”, deklaroi Mimoza Ahmetaj, nënkryetar e PDK-së.
“Po flas për përfshirjen e grave në dialogun Kosovë Serbi është e domosdoshme. Duke qenë se këtu nuk kemi pasur progres në këto dy vite të fundit në dialog shkak qenë edhe mungesa e grave në këtë proces”, shtoi deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Por me këto konstatime nuk u pajtuan deputetet e partisë në pushtet.
“Edhe në kohën që po flasim edhe me Kushtetutë dhe me Ligj i takon e drejta e dialogimit kryeministrit Albin Kurti, mirëpo në këtë rast nuk është që ka mbetur jashtë këtij procesi edhe presidentja e shtetit Vjosa Osmani. Të gjithë e dimë përfaqësimin saj dinjitoz në Këshillin e Sigurimit, që nuk e bëri të ndihet aspak Rahat presidentin Vuçiqi”, deklaroi deputetja e VV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011, por përmbushja e qëllimit duket e largët.