Arbëri

Rexhepi: Raportet me Perëndimin s'janë të garantuara, duhet të punohet në tri rrafshe

Brikenda Rexhepi

Kryeredaktorja në grupin KOHA, Brikenda Rexhepi, ka deklaruar se raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk janë të garantuara dhe se Qeveria e Kosovës duhet të punojë në mirëmbajtjen e raporteve.

Rexhepi ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se institucionet e Kosovës duhet të punojnë nëpërmjet një strategji me publikun që të “pastrojnë” diskursin dhe narrativet e dëmshme.

“Duhet të përqendrohet në tri rrafshe dhe të kuptojë se raportet e mira me Shtetet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare nuk janë të garantuara. Duhet të punosh në to, t’i mirëmbash, të krijosh lidhje, nuk të falet asgjë sot...Të punojmë me publikun tonë që ta pastrojmë nga diskurset dhe narrativet që janë të dëmshme dhe në masë të madhe të pasakta. Duhet strategji për këtë. Duhet të punohet në edukim medial, fushata...”, është shprehur ajo.

Sipas Rexhepit, rrafshi i dytë është që Qeveria t’i kuptojë gabimet ndaj aleatëve.

“Qeveria duhet të kuptojë se ka bërë gabime trashanike dhe janë treguar amatorë në mënyrën si i ndërtojnë aleatët...Nuk ki çka i thua, shëmti...Duhet të ndalen dhe të marrin ekspertë, t’i paguajnë t’i mësojnë çka të bëjnë në diplomaci. Edhe tjetra, lobi shqiptar në SHBA është i dobët. Ka qenë shumë më i fortë, tash thuajse inekzistent. Duhet që të punohet që ai të forcohet. Duhet shfrytëzuar shqiptarët të cilët në masë të kanë përkrahur Republikanët që të ndërtohen raportet me administratën e re. Ka pasur raportime që Serbia ka paguar miliona për ta forcuar lobin serb atje", ka theksuar ajo. 

Kryeredaktorja e KOHËS theksoi se me fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale është nisur diskutimi “a është ai i parashikueshëm apo i paparashikueshëm”.


Zeneli: Diskursi dominues në Kosovë nuk është anti-perëndimor

Profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka deklaruar se diskursi dominues në Kosovë nuk është anti-perëndimor.

Sipas tij, mund të ketë rritje apo zvogëlim të numrit, por diskursi dominues i shoqërisë nuk është i tillë. 

“Diskursi dominues në shoqërinë tonë nuk është anti-perëndimor akoma. Këto që po i diskutojmë, në fillim të debatit kemi thënë që po flasim për një trend që mund të ketë rritje, zvogëlim apo ckado, por studimet aktuale tregojnë se diskursi dominues i shoqërisë sonë nuk është anti-perëndimor. Marrë faktet që institucionet, pa marrë parasysh se cila parti politike është në pushtet, si institucion nuk kanë folur asnjëherë me gjuhën e vlerave anti-perëndimore apo anti-amerikane. Jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe diskursi që dominon edhe në organizatat e shoqërisë civile dhe grupacionet tjera që e krijojnë këtë diskursin dominant”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së. 


Hyseni: Kemi shumë të mira nga SHBA-ja, por edhe dëme - shembull Gjykata Speciale

Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate ka thënë se në Kosovë duhet të krijohet mprehtësia për kritikë e guximi për të vepruar që çështjet të zgjidhen brenda dhe të mos ketë nevojë për diskurse pro apo antiamerikanizëm.

Në “Konfront” të KTV-së ai ka thënë se Kosova ka përfituar nga koordinimi me Amerikën, por, sipas tij, ka pasur edhe gjëra që kanë shkaktuar dëme. Te kjo ka përmendur Gjykatën Speciale. 

“Besoj se më mirë do të ishte të na bënte OKB-ja sesa qysh e kemi formuar vetë, kur e shoh çfarë gjykate e kemi bërë”, ka thënë ai.

Hyseni ka kritikuar edhe pritjet që ardhja e Donald Trumpit në krye të SHBA-së mund të ndikojë në zhbërjen e Gjykatës Speciale apo rrëzim të Qeverisë Kurti. Këto i ka cilësuar si “pervertim të proamerikanizmit”.


Ramadani: Nga 2010-a është investuar shumë nga LVV-ja për një disponim kundër SHBA-së

Analisti politik Shkodran Ramadani ka deklaruar se nga viti 2010 është investuar nga Lëvizja Vetëvendosje që qytetarët e Kosovës të ndërrojnë disponimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se partia në pushtet ka thënë se Kosova është pavarësuar nga Serbia në 2008-n, e pas kësaj date “duhet të pavarësohemi nga SHBA-ja”.

Ai foli edhe për sondazhet që kryhen sot mbi çështjen e amerikanizmit në Kosovë.

“Kam frikë se këto sondazhe nuk tregojnë gjithçka duhet të interpretohen në mënyrë rigoroze...shume vite me radhë, deri në 2010-n, ka qenë e qartë se çka ka kuptuar kur dikujt i ke thënë antiamerikan ose amerikan. Proamerikan ka qenë çdokush që është koordinuar me SHBA-në. Gjatë viteve ka evoluar dhe e kam vërejtur një përmbysje që i është bërë amerikanizmit...Pas 2010-s është investuar ideologjikisht, sidomos nga VV-ja që Kosova është pavarësuar nga Serbia, e është radha të pavarësohemi nga SHBA-ja e BE-ja”, u shpreh ai.


Rexhepi: Shprehja e një mendimi kundër kërkesave të SHBA-së s’është anti-amerikanizëm

Kryeredaktorja në grupin KOHA, Brikenda Rexhepi, ka thënë se shprehja e një mendimi kundër kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është anti-amerikanizëm.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Rexhepi ka thënë se shprehja e mendimit ndryshe është çështje krejt e ndryshme nga anti-amerikanizmi. 

“Nuk do ta kisha konsideruar shprehjen e një mendimi që mund të mos jetë në një vijë me kërkesat amerikane ose evropiane, të miqve tanë perëndimorë, si  anti-amerikan apo anti-evropian. Nëse ka njerëz që më shumë pajtohen me Qeverinë që po i merr ato masa që po quhen të njëanshme, në veri apo të tjera, sesa me kërkesat që të mos merren ato masa, apo nëse ka më shumë qytetarë që mendojnë se nuk duhet të bëhet Asociacioni tash, sesa që duhet të bëhet. Shprehja e mendimit është çështje tjetër, ndërsa anti-amerikanizmi e anti-BE-ja është çështje tjetër”, ka thënë ajo. 

Rexhepi ka shtuar se ndonëse Qeveria aktuale ka bërë disa gabime në hapat e ndërmarra të saj, nuk beson se në Kosovë mund të ketë ndonjë politikë anti-amerikane. 

“Tani nëse flasim për mediat serbe që janë të udhëhequra e të financuara nga Qeveria e Serbisë, që përpiqen ta fryjnë situatën e krijuar këtu ende më shumë dhe ta krijojnë një ide që ka në të vërtetë anti-amerikanizëm. Pastaj është krejt normale që partitë opozitare dhe kushdo që është opozitë e kësaj qeverie përpiqet në disa raste me të drejtë, ta paraqesin këtë Qeveri si anti-amerikane, që unë nuk besoj se në Kosovë mund të ketë as tani e as në të ardhmen ndonjë politikë anti-amerikane”, është shprehur ajo.