Xhavit Rexhaj, ekspert i arsimit, ka thënë se çështjet për arsimin nuk duhet të trajtohen në kohë parafushate e fushatë zgjedhore, për shkak të politizimit. Ai ka thënë se krahasuar me rajonin, Kosova qëndron më keq me arsimin.
Profesori Rexhaj ka shtuar se ka arsye për veprime sindikale në arsim, por jo që ato të ndërmerren në kohë parafushate.
“Çdo veprim në kohë parafushate apo fushate doemos do të ketë primesa të politizimit apo të përdorimit në luftën për pushtet, qoftë prej SBASHK-ut, opozitës apo Qeverisë. Veprimet të tilla, marrëveshje të tilla në kohë parafushate, si ajo marrëveshja me SBASHK-un për kontratën kolektive më 2017 ka pasur pasoja ajo marrëveshje për funksionimin normal të komunave, ka pasur pasoja katastrofike. Sot ende i vuajmë veprimet e tilla të kohës së fushatës. Çështjet e tilla nuk duhet të trajtohen në fushatë zgjedhore sepse ndikon në cilësinë e rregullimit të duhur të problemit”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.
Rexhaj ka potencuar tutje se arsimi nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie deri tash dhe se problemet në këtë fushë janë trajtuar vetëm në greva ose në kohë fushatash.
“Arsimi asnjëherë nuk ka qenë tamam prioritet i duhur i qeverive dhe kemi ardhur te kjo situatë sepse çështjet e mësimdhënësve nuk trajtohen me një program për rregullimin e këtyre çështjeve, por gjithmonë me imponim, me greva ose kur ju duhen për zgjedhje apo çështje të politizimit”.
Sipas tij, nuk qëndron problemi vetëm të pagat, por se duhet të ketë zgjidhje sistematike në arsim. Ka theksuar se gati i gjithë buxheti shkon në paga, e tepër pak në pajisje e shërbime të tjera.
“Rregullimin e situatës së mësimdhënësve, pagesave të tyre, do ta lidhja me një qasje më sistematike që do prodhonte edhe cilësi dhe nuk do ta rëndonte aq shumë buxhetin e Kosovës. Nuk mjafton vetëm të shtohet paga, duhet të bëhen edhe disa zgjidhje të tjera sistematike”.
“Për shkak të numrit të madh të mësimdhënësve, në Kosovë 90-92% të mjeteve që shkojnë në arsimin parauniversitar shkojnë për paga. Paramendo çka mbetet për mjete materiale, pajisje, amortizim dhe shërbime të tjera. Këtu është problemi i madh i sistemit arsimor”, ka theksuar ai.
Rexhaj ka theksuar se SBASHK-u duhet të reformohet.
“SBASHK-ut duhet të reformohet, të ecë me shoqërinë. Të reformohet në organizatë moderne sindikale që rri larg nga politika. Duhet të profesionalizohet, depolitizohet, të përtërihet”, është shprehur ai.