Kosova do të përballet me një sfidë të re në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
Rexhep Shaqiri, i cili ka edhe shtetësi britanike, ka iniciuar në Arbitrazhin Ndërkombëtar një rast, nëpërmjet të cilit kërkon së paku 250 milionë euro nga Kosova.
Fillimisht, nëpërmjet një studioje avokature me bazë në New York, ai ua ka dhënë rastin autoriteteve që kontestin ta zgjidhin në mirëbesim.
“Pa paragjykimin e të drejtave të tyre për të kërkuar, plotësuar apo rishpallur dëmshpërblimin që do të kërkohet në Arbitrazh, z. Shaqiri individualisht, dhe në emër të kompanive të ndërlidhura me të, do të kërkojë kompensim të plotë për humbjet dhe dëmet e tjera të pësuara si rezultat i veprimeve të paligjshme dhe mosveprimeve të Kosovës, dhe do të kërkojë të paktën rreth 250 milionë euro për kompensim të dëmeve, si dhe të interesave e kostove, dhe dëmshpërblime të tjera të këtilla, siç i cilësojnë arbitrat si të përshtatshme”.
KOHA raportoi në korrik për dyshimet se, rreth një dekadë më parë, kësaj kompanie iu përvetësuan aksionet e edhe licencat për tri gurore mermeri e graniti – dy në Zatriq të Rahovecit e një në Syriganë të Skënderajt.
Aksionet iu bartën kompanisë tjetër “FOX Marble”, në bazë të një autorizimi që e përdori një studio avokature në Prishtinë.
Ekspertiza grafologjike që e mori në konsideratë një gjykatë në Prishtinë, gjeti se nënshkrimi në të nuk ishte shkruar nga Rexhep Shaqiri, por nga persona të tjerë.
Shaqiri atëkohë konstatoi se dëmet ishin diku sa gjysma e vlerës që tani e ka kërkuar.
“Sipas vlerësimeve të ekspertëve ndërkombëtarë, për tri licencat e mia brenda këtyre dhjetë vjetëve jam dëmtuar në vlerë 128 milionë euro”, kishte thënë Shaqiri.
Tani, për kompensimin që e kërkon, studio e avokaturës që ai e ka angazhuar ka informuar autoritetet më të larta shtetërore të Kosovës, përfshirë presidenten Vjosa Osmani.
Në Ministrinë e Drejtësisë ku ka mbërritur shkresa nuk dhanë informacione mbi këtë rast.
Megjithëkëtë, Sami Istrefi, avokat i përgjithshëm i Shtetit, e konfirmoi të dhënën.
“E kemi pranuar njoftimin e palës paditëse dhe i njëjti e ka paraqitur njoftimin pranë Arbitrazhit Ndërkombëtar, me të cilin është duke kërkuar një dëmshpërblim prej 250 milionë eurosh”, thuhet nga Istrefi.
Kosova është duke u përballur me një numër rastesh në Arbitrazh. Humbja më e madhe deri tash në të tilla konteste është ajo e Telekomit, kompani që është detyruar t’ia paguajë rreth 30 milionë euro operatorit “Z-Mobile”.