Arbëri

“Reporting House” shpalos luftën e Kosovës në sytë e mediave ndërkombëtare

Javën e ardhshme në Prishtinë do të hapet një ekspozitë që do ta shfaqë mbulimin mediatik të luftës në Kosovë. “Reporting House” është ekspozita e realizuar nga Jeta Xharra, themeluese e BIRN-it rajonal. Në një intervistë për “60 Minuta” në KTV të premten, Xharra ka thënë se ekspozita ka për qëllim të tregojë ndikimin e mediave ndërkombëtare në ngritjen e vëmendjes për të ndikuar në bombardimet e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.

“Me rëndësi është që 25 vjet pas luftës, ne gjithmonë kemi thënë ‘Thank you NATO’, ‘Faleminderit UÇK-së’, por s’u kemi thënë kurrë faleminderit mediave të huaja që prej 98-s çdo  natë kanë bërë raportime për të treguar dhe vetëdijesuar lidershipin e vet, sidomos media që ka hapur studio në mars të 98-s, BBC-ja, dhe mendoj se për shkak të raportimit të tyre të për çdo nate, Tony Blair ishte ndër liderët e parë që inicioi bombardimin e NATO-s”, ka thënë ajo. “Kanë qenë plot media, duke llogaritur edhe KOHËN Ditore si media lokale që dihet që ka bërë shumë, por ndërkombëtarisht kush e ka ngritur vëmendjen më së shumti ka qenë BBC-ja dhe kjo mendoj se ka qenë kyçe që të binden liderët ndërkombëtarë me bombardu”.

Xharra ka thënë se në ekspozitën që do të hapet të martën për publikun, e që do të jetë e hapur për tre muaj, do të ketë më shumë se 20 orë materiale që janë siguruar e ato janë pamje nga BBC-ja, televizionet publike në Gjermani, Spanjë, Danimarkë e Japoni. Ekspozita do të hapet në qendër të Prishtinës, në ndërtesën e ish-Gërmisë.

Xharra ka thënë se të gjitha materialet janë digjitalizuar e janë përkthyer në dy gjuhë. Ndër materialet janë edhe ato të arkivave të KOHËS Ditore, RTV 21, Radio Televizionit të Prishtinës e edhe materiale të disa personave të tjerë, përfshirë fotoreporterë profesionalë.

Sipas Xharrës, mision i ekspozitës ka qenë edhe që të tregohet se në Kosovë ka pasur gazetari dhe dokumentim të rezistencës paqësore e të armatosur. “Do të kishim rezistencë, por pa gazetari s’do të flitej për të sepse s’do të kishim si ta tregojmë storien”, ka thënë ajo.

Sfida kryesore, për këtë ekspozitë, sipas Xharrës ka qenë sigurimi i disa materialeve të një gazetari serb që kishte punuar për agjencinë “Reuters”. Ajo ka thënë se vetë gazetari Goran Tomasheviq ka dashur të jetë pjesë e ekspozitës. Sipas Xharrës, fotografitë e tij do ta shpërfaqin propagandën e Serbisë që krimet e veta është munduar t’ua mëveshë të tjerëve. “Fotografitë e tij janë qasja që ia ka dhënë Ushtria e Serbisë”, ka treguar ajo duke thënë se përmes tyre do të vërehet kontrasti i propagandës së Serbisë me raportimin e mediave me renome botërore.

Në këtë ekspozitë do të ketë edhe intervistë të një dëshmitari kyç në gjenocidin e Srebrenicës.