Arbëri

Remitencat shënojnë rritje në muajin mars

Rritje prej më shumë se 26 milionë eurove kanë shënuar remitencat në muajin mars krahasuar me muajin shkurt të këtij viti. Ekonomistët vlerësojnë se këto mjete nga diaspora janë shumë të rëndësishme për ekonomitë familjare në Kosovë. Megjithëse parashohin se në një të ardhme mund të ketë rënie të remitencave, ekonomistët thonë se kjo nuk pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt

Ndihma nga diaspora për ekonominë e Kosovës ka shënuar rritje në muajin mars krahasuar me muajin paraprak të këtij viti. Statistikat e publikuara të premten nga Banka Qendrore e Kosovës tregojnë se nga 85.58 milionë euro sa kanë qenë në muajin shkurt, në mars remitencat janë rritur për 26 milionë e 550 mijë euro, ose 112.13 milionë euro në total.  

Ekonomistët thonë se në dhjetë vjetët e fundit, rritja mesatare vjetore e remitencave ka qenë 9 deri në 10 për qind çdo vit. 

“Nëse i marrim parasysh të dhënat në dhjetë vitet e fundit diku rritja mesatare vjetore ka qenë 9-10 për qind. Pra unë besoj që ky trend do të vazhdojë edhe duhet theksuar se remitencat luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në mirëqenien sociale të ekonomive familjare, një pjese të madhe të ekonomive familjare në Kosovë. Kështu që si burim është jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe fatëmirësisht e kemi këtë trend rritës. A do të vazhdojë ky trend edhe një kohë të gjatë. Këtë nuk e dimë”, ka theksuar ekonomisti Visar Vokrri. 

Në një periudhë afatshkurtër, ai pret që të ketë një trend rritës të këtyre remitencave. 

“Ndërsa, më vonë pres që duke pasur parasysh ndryshimin e gjeneratave, domethënë gjeneratat e reja tanimë në diasporë nuk besoj që e kanë lidhjen sentimentale që e kanë paraardhësit e tyre, prindërit ose gjyshërit e tyre. Kështu që mund të ketë edhe një ngadalësim të rritjes eventualisht, do të fillojë një rënie të remitencave në Kosovë. Mirëpo, gjithsesi unë nuk besoj se kjo do të ndodhë në një periudhë afatshkurtër”. 

E, sa do të ketë ndikim kjo rënie në ekonominë e vendit dhe në ekonomitë familjare, ekonomisti Vokrri thotë se tash për tash nuk mund të thuhet me saktësi. 

“Në këtë kohë, në këtë moment është vështirë të thuhet se çfarë impakti mund të kenë, sepse për të matur eventualisht impaktin e përafërt që mund ta kenë duhet të kemi të dhëna të përafërta se sa mund të jetë kjo rënie. Madje kjo rënie po them është e bazuar në një supozim që të rinjtë, pra gjeneratat e reja-diaspora nuk e kanë këtë lidhjen-afërsinë që e kanë paraardhësit e tyre me Kosovën, rrjedhimisht do të vijën më pak, do të shpenzojnë më pak edhe eventualisht do të dërgojnë më pak”, është shprehur ai. “Mirëpo, tjetri supozim që gjithsesi ka peshën po ashtu të njëjtë është trendi apo zhvillimi i rritjes ekonomike në Kosovë. Dhe sa më shumë që rritet mirëqenia ekonomike në vend, aq më e vogël do të jetë nevoja për përkrahje apo ndihmë nga bashkatdhetarët tanë në diasporë”.  

Nga statistikat e publikuara nga BQK-ja shihet se pos remitencave, rritje nga muaji shkurt në mars kanë shënuar edhe asetet e ndërmjetësve financiarë, asetete e kompanive të sigurimit dhe asetet e fondit pensional.