Arbëri

Rektori i UP-së u bën thirrje studentëve: Mos bini pre e dezinformatave

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, u ka bërë thirrje studentëve që të mos dalin në protestën e së martës për kërkimin e afateve shtesë të provimeve. Ai ka porositur studentët të mos bien pre e dezinformatave, që sipas tij, po nxiten qëllimisht. 

Studentët e UP-së të enjten dhe të premten (sot) kanë bojkotuar mësimin pas thirrjes së Parlamentit Studentor për të shprehur pakënaqësitë për mosshqyrtim nga Senati të kërkesës për shtimin e dy afateve për mbajtjen e provimeve (nëntor dhe prill). Parlamenti Studentoi njoftoi për protestë të martën pasi dështuan të arrinin marrëveshje me menaxhmentin e UP-së gjatë takimit të sotëm.

Në një konferencë për media, rektori Hajrullahu ka thënë se është i gatshëm të bisedojë për çdo brengë të studentëve, por siç thotë ai, pa shkelur normal rregullative të UP-së.

“Studentëve nuk i mohohen të drejtat, statuti është i qartë. Ne e kemi obligim që të bëjmë vlerësimin e studentëve në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo është detyra jonë që të garantojmë”, ka thënë Hajrullahu.

Hajrullahu për protestën e së martës u shpreh se studentët nuk duhet të bien pre e lajmeve të rreme, që sipas tij, po nxitën qëllimisht nga grupe të caktuara.

“Ideja ime ka qenë që konferencën e parë me media ta mbajë se si po e zhvillojmë transparencën dhe janë dyert hapur. Sot jam njoftuar se pas mbledhjes së komisionit studentët e kanë braktisur mbledhjen dhe brenda sekondash kanë njoftuar për protestë të martën. Unë e konsideroj të arsyeshme që t’iu flas  studentëve që mos të bien pre e dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Këtu ka keqkuptime të qëllimshme nga grupet e caktuara. Më pak se gjashtë javë mund te them se çka është arritur. Se si është çështja e adresimeve për afatet shtesë. Universiteti i Prishtinës ka arritur për të kontribuar, ne kemi arritur të inaugurojmë Qendrën e Arkeologjisë. Ne as nuk do t’i mohojmë të arriturat e shumta, por as problemet që kemi, andaj jemi këtu që çdo sfidë ta zgjedhim“, ka thënë Hajrullahu, transmeton EO.

Sipas Statutit të UP-së, viti akademik përfshin tri afate të rregullta: atë të janarit, të qershorit dhe të shtatorit.

Viteve të kaluara ka pasur afate shtesë të nëntorit e prillit.

Javën e kaluar, Senati formoi komision të përkohshëm për të vlerësuar kërkesën për shtim të afatit në nëntor. Në vendimin për formimin e komisionit nuk u përmend afati i prillit, çka çoi në reagimin e studentëve.