Me më shumë se 17 mijë raste të regjistruara, viti 2024 ka shënuar nivelin më të lartë të infeksioneve respiratore brenda një dekade. Mjekë të sëmundjeve të mushkërive dhe njohës të ambientit e identifikojnë ndotjen e ajrit si një nga faktorët e mëdhenj që ndikon në dëmtimin e rrugëve të frymëmarrjes
Gjatë 2024-tës është shënuar numri më i lartë në dhjetë vjetët e fundit i rasteve të infeksioneve të traktit të poshtëm respirator.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, janë regjistruar mbi 17 mijë raste të hospitalizimeve për shkak të sëmundjeve të mushkërive, që i bie rreth 990 raste për 100 mijë banorë.
Pulmologu Skënder Baca thotë se ndotja e ajrit është një ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikon në shëndetin respirator, por jo shkaku kryesor i këtyre sëmundjeve.
“Nëse merret me përqindje, në shëndetin e traktit respirator, por edhe në shëndetin e përgjithshëm mundet ndotja e ajrit të këtë ndikim diku 20-30 për qind, si faktor i dëmtimit, duke filluar prej infeksioneve akute, të dëmtimeve kronike dhe siç është sëmundja kronike obstruktive pulmonare, e cila ka edhe invaliditet e edhe vdekshmëri mjaft të madhe dhe faktor që kontribuon në vdekjen e parakohshme”, ka thënë Baca.
Sipas tij, qëndrimi për një ditë në ajër të ndotur mund të shkaktojë infeksione akute, ndërsa ekspozimi i vazhdueshëm për vite me radhë ka pasoja më serioze në shëndet.
“Nëse i nënshtrohemi një faktori të ndotjes së ambientit siç është tymi, gazi i automobilit, duke pritur në semafor ose në ndonjë vend tjetër për shembull si garazhet. Nëse ndodh një ditë ose dy ditë, atëherë ndodhin infeksionet akute respiratore, zakonisht të traktit të sipërm”, ka thënë Baca. “Në aspektin kronik është shumë me rëndësi ndotja e ambientit sepse ne nuk e vërejmë atë mirëpo pas 10 vjetëve, 15 vjetësh trakti i tyre respirator është dëmtuar në mënyrë kontinuele”.
E, njohësi i ambientit, Besnik Shabiu, thekson se qytetarët në Kosovë janë të ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj ndotjes së ajrit, veçanërisht për shkak të mënyrës së ngrohjes me dru apo thëngjill në shumicën e ekonomive familjare.
“Prej grimcave të cilat zakonisht emetohen prej termocentraleve, makinave e kështu me radhë, kemi oksidet e karbonit, mandej dioksidin e sulfurit, azotit, grimcat e pluhurit. Nga veturat i kemi hidrokarburet, e kështu me radhë. Të gjitha këto natyrisht që kanë edhe efekt zinxhiror, jo vetëm në aspektin mjedisor, por edhe në atë shëndetësor. Qytetarëve të vendit tonë i përshpejtohet numri i vdekjeve si rezultat i ndotjes së ajrit”, ka thënë Shabiu.
Sipas Agjencisë së Statistikave, gjatë dekadës së fundit, viti pandemik 2020 ka shënuar numrin më të ulët të rasteve të infeksioneve të traktit të poshtëm respirator – gjithsej 6,190 raste. Kjo kohë korrespondon edhe më kufizim të qarkullimit dhe me ulje të aktivitetit ekonomik.