Arbëri

Rehatia politike synohet të mbërrihet me zgjedhje

Në kaos politik çfarë nuk e ka përjetuar më përpara, është ndodhur Kosova përgjatë gjithë vitit 2020. Ka hyrë në këtë vit më shumë pikëpyetje rreth qeverisjes e shumë më shumë të tilla u shtuan në fund të motmotit, por Gjykata Kushtetuese u dha fund atyre.

Përgjatë vitit, është dorëhequr Presidenti në prag të përfundimit të mandatit, është ndërruar kryeparlamentari, është rrëzuar Qeveria vetëm dy muaj pasi e ka marrë detyrën e ra edhe Qeveria pasuese, pasi doli që u zgjodh në kundërshtim me Kushtetutën. Këto zhvillime nuk kanë prodhuar rehati politike. E rehatia synohet të gjendet nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen në fillim të vitit të ri.

Pesë ditë para se të niste 2020-a, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, u zgjodh kryetar i Kuvendit. Zgjedhjet e mbajtura paraprakisht e kishin konfirmuar partinë që ai i takon, subjekt të parë në nivel vendi. 

Kishin kaluar 80 ditë nga zgjedhjet e një muaj nga certifikimi i rezultatit dhe nuk kishte marrëveshje koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike.

Albin Kurti justifikoi përcaktimin për të shkuar pa marrëveshje në seancën konstituive.

“Përgjatë këtyre bisedimeve katërjavëshe, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë katër kompromise të rëndësishme, përderisa LDK-ja asnjë”, kishte thënë ai.

Negociatat pësuan ngërç. Por, dikush në LDK dha mesazh të fortë, që në ditën e tretë të vitit të ri.

“Do të ishte gabim historik në qoftë se nuk ka marrëveshje ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes. Do të ishte gabim historik për vendin tonë. Si bartëse e listës së Lidhjes Demokratike dhe përfaqësuese e vullnetit të atyre votuesve, unë e kam për detyrë që ta çoj vullnetin qytetar deri në fund”, ishte shprehur Vjosa Osmani.

Si nënkryetare e LDK-së që i kishte prirë listës zgjedhore, Osmani përbënte autoritetin më këmbëngulës për koalicion me Vetëvendosjen, për të cilin partitë ishin dakorduar qysh para zgjedhjeve. Por, të moçmit në parti nuk e donin këtë. Nënkryetari Agim Veliu shihej si pykë në partneritetin që synohej.

E përderisa negociatat s’ecnin, presidenti Hashim Thaçi e kishte vënë në presion Vetëvendosjen për t’ia ofruar emrin e mandatarit.

Ora 15:00 e 6 janarit shënoi herën e parë kur rivalët e moçëm takohen. Ishte takim katër-minutësh.

“Sa më parë që mundemi, do t’ia sjellim presidentit të Republikës propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm”, kishte thënë Kurti.

“Kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit për kryeministër të ardhshëm, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, thuhej në njoftimin e Thaçit.

Por, kjo s’ndodhi shpejt. Negociatat s’përparonin e informata nuk jepeshin.

Është 20 janari kur përfundimisht Vetëvendosja e propozoi para Presidentit emrin e Kurtit si kandidat për kryeministër. Të njëjtën ditë Presidenti e dekretoi, dhe merr start afatit 15 ditor brenda të cilit duhej të ndodhte votimi në Kuvend.

Ditët ecnin, por nuk bëhej përparim në negociata.

Megjithatë, marrëveshja u nënshkrua më 2 shkurt. Kurti u bë kryeministër e Glauk Konjufca u desh ta lëshonte karrigen e të parit të Kuvendit, në të cilën u vendos Vjosa Osmani.

Të nesërmen ligjvënësit votuan për Qeverinë. 

Në mbledhjen e parë, kryeministri i ri pati një porosi.

“Do të ishte mirë që secili prej nesh të mësojmë përmendësh programin tonë që del nga marrëveshja jonë e përbashkët, sepse me të do të zgjohemi në mëngjes, e me të do të flemë në mbrëmje”.

Por, një pikë të programit, LDK-ja e harroi shpejt. Atë për zëvendësimin e tarifës ndaj mallrave të Serbisë me masën e reciprocitetit.

Kurti këmbëngulte në këtë, e Administrata e presidentit Donald Trump thoshte jo, meqë me të nuk mund ta sillte Serbinë në tryezën e negociatave që synohej të zhvilloheshin në Uashington para zgjedhjeve presidenciale.

LDK-ja, ndërkaq, ishte në vijë me presidentin Thaçi dhe me emisarin e Trumpit, Richard Grenell. Këta u kthyen kundër Kurtit.

Megjithëkëtë, pati një takim Thaçi-Kurti, pas të cilit mungoi diskursi armiqësor.

“Më tepër gjëra janë ato që na përafrojnë sesa na ndajnë”, kishte thënë Thaçi, ndërsa Kurti kishte deklaruar “Një takim i cili filloi me diskutimin për situatën me koronavirus e përfundoi po ashtu me ndërprerjen që na u bë pikërisht për lajmin për koronavirus”.

Këtë ditë, virusi që po i frikësohej bota, mbërriti në Kosovë. U konfirmuan dy të infektuarit e parë.

Një çështje që lidhej me menaxhimin e situatës u bë sebep që t’i lëkundeshin themelet koalicionit.

Presidenti Thaçi kërkoi të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, me çka do të merrte në dorë shumë nga kompetencat ekzekutive. Këtë paraprakisht e kërkoi kreu i LDK-së.

Menjëherë, në krah u doli Agim Veliu, si ministër i Brendshëm.

E, Kurti e shkarkoi menjëherë.

“Nuk mund ta mbështetësh shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të paralajmëruar nga Presidenti, pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit. Nuk mundesh. Ose, edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, ishte deklarata e Kurtit që bëri bujë.

Nuk vonoi kundërpërgjigjja.

“Hiç s’më ka ba përshtypje ai farë vendimi. Hiç s’ma ka lanë najfarë shenje”, ishte përgjigjur Veliu.

LDK-ja s’e përpiu dot. U hakmor.

Nisma për shembjen e qeverisë u ndërmor, në kohën kur gjithandej botës bëheshin një qeveri e opozitë për të luftuar me virusin e panjohur që merrte jetë. Në kohën e mocionit, ishin infektuar 63 qytetarë dhe i pari e kishte humbur jetën.

LDK-ja u bë e shurdhër edhe ndaj kësaj forme të protestës së qytetarëve që disa net rresht e bënë nga ballkonet.

Kuvendi u mblodh, kur qeveria i mbërriti 50 ditë. Debati i nisur në mesditë, zgjati deri vonë.

Mocioni kaloi. Madje, me më shumë se 80 vota.

E vendimi i parë i Kurtit si kryeministër në detyrë, është shkarkimi i Avdullah Hotit nga pozita e zëvendëskryeministrit. Kjo nën arsyen se Hoti bëri thirrje në Kuvend që Qeveria të rrëzohej.

Vetëm dy ditë pas rrëzimit, Thaçi paralajmëroi veprime që ngjanin të përgatitura më herët. Tha se angazhohet për qeveri gjithëpërfshirëse.

E për formalitet, ftoi Kurtin për t’ia ofruar një emër të ri mandatari. Emri nuk iu ofrua.

Skenari eci përpara. Thaçi e Kurti nisën një luftë komunikimi me letra, përkitazi me mandatarin. Dhe, në një çast kreu i shtetit pushoi. U drejtua kah LDK-ja.

Më 23 prill. Herët në mëngjes Isa Mustafa mblodhi kryesinë e partisë. Anëtarët e këtij forumi u panë në disponim të mirë, para se të vendosej për kandidatin për kryeministër. Zëvendëskryeministrin që Kurti e shkarkoi, LDK-ja e propozoi për kryeministër.

E i propozuari dha një premtim ambicioz.

“Do të kalojmë suazat e koalicionit qeverisës për të dalë edhe tek opozita”, ishte zotuar Hoti.

Më 30 prill presidenti e miraton këtë emër. E bën me një dekret të nxjerrë pas orës 16 të së enjtes, kur mendohej se Gjykata Kushtetuese nuk do të punonte për tri ditë rresht dhe kurrkush nuk mund ta kontestonte aty dekretin pa u zgjedhur qeveria e re. E premtja ishte ditë feste, e për të shtunën ishte thirrur seanca.

Kushtetuesja i mbajti dyert hapur dhe e pranoi edhe pas orarit të punës kërkesën e Vetëvendosjes me të cilin kontestohej kushtetutshmëria e dekretit. Më 1 maj dekreti u pezullua nga gjykata.

E 28 ditë pas, Kushtetuesja e përligji dekretin e Thaçit.

Seanca nuk u thirr menjëherë. LDK-ja kishte telashe me numrat. Ajo u thirr tek pasi edhe presidenti u involvua në një ndërmarrje për t’i siguruar votat.

“Me vizitën që kam pasur mbrëmë në familjen time të presidentit dhe ish kryeministrit z. Haradinaj, kam ndërruar mendjen dhe vota ime do të jetë për këta dy persona, pro qeverisë Hoti”, kishte njoftuar ish-deputeti i Nismës, Haxhi Shala.

Thaçi s’kishte si të mos e pranonte.

Për herë të parë, jashtë pushtetit mbeti partia fituese. Qeveria e re u bë me 61 vota për, fiks sa është minimumi për të kaluar.

Në mesin e atyre që votuan, ishte edhe Etem Arifi, i cili në bazë të Kushtetutës nuk mund të zgjidhej deputet, meqë ishte i dënuar. Vota e tij dhe e Shalës u kontestuan në Kushtetuese.

Por, Avdullah Hoti u ul në karrigen e kryeministrit.

Në LDK nisi çarja e brendshme, pas sprapsjes së lidershipit nga zotimi për të mos bërë koalicion me partitë e PAN-it, që i kishte akuzuar për kapje shteti. Kundër koalicionit të ri ishte Vjosa Osmani, bashkë me dy deputetë të kësaj partie.

Më 20 qershor, Isa Mustafa kërkoi nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të votonin për shkarkimin e Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe nga ajo e anëtares së Kryesisë. Diçka më shumë se gjysma votuan për.

Pati deputetë të LDK-së që donin t’u hakmerreshin edhe kështu.

Punët as në Qeveri nuk ecën. Hoti i proklamoi tri prioritete: menaxhimin e pandemisë, rimëkëmbjen ekonomike e dialogun me Serbinë.

Virusi mori hov. Ligji për rimëkëmbje ekonomike mezi kaloi në Kuvend, e as dialogu nuk eci përpara.

Në korrik, presidenti Thaçi, por edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, morën lajmin për aktakuzën nga Gjykata Speciale.

Thaçi ishte rrugës për në Uashington, ku planifikohej një takim Kosovë-Serbi në nivel presidentësh e kryeministrash, që ishte ftuar nga Grenell.

E anuloi vizitën. E bëri edhe Hoti pastaj. Por, Hoti shkoi pastaj në Bruksel, në një takim për të cilin për herë të parë mori kritika të ashpra nga Presidenti. E kritikoi edhe Ramush Haradinaj, me partinë e të cilit bashkëqeveris.

Çarjet në koalicion thellohen pas paralajmërimit të Thaçit se do të dorëhiqet nëse Specialja ia konfirmon aktakuzën. Menjëherë Haradinaj shprehi ambiciet për ta marrë postin e shefit të shtetit.

Vendimi nuk u mbështet nga ndonjë parti, pos AAK-së.

Presidenti Thaçi ofroi dorëheqjen, pak para se me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, e me shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, të udhëtonin për në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e mori ushtrimin e detyrës së Presidentit. Por, vetëm përkohshëm. Deri sa të zgjidhet i riu.

E, i riu nuk pritet të zgjidhet nga legjislatura aktuale.

Në prag të ndërrimit të motmoteve, Gjykata Kushtetuese dha verdiktin për votën e Arifit, falë së cilës ishte zgjedhur Qeveria Hoti. E shpalli të pavlefshme atë dhe tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Kësisoj, qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit në fillim të 2021-s.

Zgjedhjet e favorizojnë partinë që u rrëzua në fillimvit. Tregues i kësaj është rezultati i Podujevës, bastion që iu shemb LDK-së.

Rezultati zgjedhor u lexua si ndëshkim për rolin që LDK-ja e demonstroi gjatë gjithë vitit.