Agjencia e Statistikave të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, kur kanë mbetur edhe një javë nga përfundimi i procesit. Parashikimet në ASK deri në fund të procesit janë që numri i popullsisë rezidente në Kosovë të jetë 1.5 milionë banorë, rreth 300 mijë më pak se në censusin e fundit (2011). Shkaqe vlerësohen migrimi e rënia e natalitetit për çfarë kërkohen veprime nga Qeveria
Thirrje qytetarëve për t’iu përgjigjur pozitivisht regjistrimit të popullsisë adresuan të premten nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, tek kanë mbetur edhe shtatë ditë deri në përfundim të procesit. Teksa deri të enjten janë regjistruar 1.3 milionë banorë rezidentë në Kosovë, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati, tha se numri mund të shkojë në 1.5 milionë deri në përfundim të procesit. Kjo shifër është për rreth 300 mijë më e ulët sesa në regjistrimin e fundit. E ndikim në këtë rënie Kastrati vlerëson se kanë migrimi dhe rënia e natalitetit.
“Për shkak të emigrimit domethënë, sidomos të rinjve që kanë impakt të drejtpërdrejtë në fertilitet. Kur shkon struktura që është fertile ka ndikim në numrin total por edhe në shkallën e fertilitetit. Domethënë janë dy faktorë”, u shpreh ai.
Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, e sheh shqetësuese uljen e numrit të popullsisë për një shifër kaq të lartë, siç thotë ai. Sipas tij, Qeveria duhet të ketë masa konkrete ekonomike me të cilat duhet ta nxisë përveç natalitetin edhe qëndrimin e fuqisë punëtore brenda shtetit.
“E para është dashur ta ketë ekskluzivisht një strategji dhe një plan për shtimin e natalitetit dhe, e dyta, ta ketë një plan për parandalimin dhe kthimin e të rinjve dhe të rejave që kanë shkuar jashtë vendit që të kthehen në formën e investitorit. Kur po them parandalimin, duhet t’i subvencionojë start up-et”, është shprehur Rafuna.
Me gjithë rëndësinë e regjistrimit, Kastrati ka treguar edhe për sfida e kushtëzime të procesit nga qytetarët.
“Është një lagje, ende nuk na kanë marrë pjesë, këtu afër Prishtinës. Kanë disa kushte, infrastrukturë, kanalizim, ujësjellës”, ka shtuar Kastrati.
Për ata që refuzojnë t’i përgjigjen këtij obligimi ligjor që do të zgjasë deri më 17 maj, ka pasoja financiare deri në dy mijë euro.
Sipas rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë më 2011, 1.739.825, kishte qenë numri i banorëve në Kosovë duke përjashtuar Komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin-Potokut e Zveçanit. Edhe në këtë proces regjistrimi, me thirrje të Listës Serbe, qytetarët serbë të këtyre komunave janë duke e bojkotuar procesin.