Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur të martën në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë pati lëshuar urdhër javën e kaluar që Kurti të paraqitet në Prokurori më 4 mars. Urdhri i Gjykatës vjen pas disa refuzimesh të Kurtit për t’u paraqitur në Prokurori, pasi ka deklaruar herë pas here se është i gatshëm për intervistim por se ai të bëhet në zyrën e tij në Qeveri.
Avokati Florim Shefqeti ka thënë se veprimi i Kurtit po e dëmton imazhin dhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
“Paraqet një praktikë jo të duhur, mosbesim të qytetarëve në sistemin e drejtësisë sepse krijon një praktikë që nëse jo refuzim apo sjellje me dhunë të dhënies së dëshmisë së dëshmitarit, minimalisht një afat tremujor që secili dëshmitar do ta ketë nëse konsiderojmë se secili qytetar duhet të trajtohet barabartë. Dëmin e ka shkaktuar kjo vonesë”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Shefqeti ka shtuar se sipas procedurave, ndërkohë Prokuroria mund të kërkojë edhe masën e paraburgimit ndaj Kurtit, pas shterimit të masave të tjera.
“Kjo nuk është mënyrë e duhur e veprimit nga kryeministri sepse nuk mund të udhëzohet Prokuroria. Shohim një qasje që nuk reflekton në thirrjen në sistem të barazisë, pavarësisht vërejtjeve që secili mund të ketë... Ajo që proceduralisht parashikohet me ligj është shqiptimi i gjobës për mospërfillje të urdhrit të Gjykatës. Kodi i procedurës penale parasheh që kjo mund të bëhet në 2-3 herë, nuk specifikon numër, pas së cilës mund të kërkohet zbatimi i masës së paraburgimit”, u shpreh ai.
Shefqeti ka sqaruar se Prokuroria i merr deklaratat e dëshmitarëve jashtë objektit të saj vetëm në raste specifike.
“Prokuroria dëgjon dëshmitarë në terren vetëm kur specifikat shëndetësore apo të ngjashme pamundësojnë... edhe Gjykata e bënë një gjë të tillë, sepse është e natyrës urgjente. Mosmarrja e një prove të tillë mund të humbet pastaj. Në rastin konkret nuk kemi asnjë nga rrethanat që mund t’i referohet arsyeshmërisë së marrjes së një deklarate në një zyre jashtë Prokurorisë”.
Duke iu referuar deklaratave të Kurtit se në të kaluarën edhe kryeministra të tjerë janë deklaruar në zyra të Qeverisë, Shefqeti ka theksuar se në rastin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nuk dihet se ky ishte intervistuar, por se vetëm janë marrë prova materiale – gjë që sipas tij dallon.
“Sa kemi arritur të kuptojmë, i është referuar Haradinajt, por atëherë nuk e dimë që ka qenë intervistim por marrje e provave. Absolutisht që ka dallim. Në drejtësinë penale kemi prova materiale si dokumente dhe prova personale si deklaratat. Në rastet kur prokuroria ka dilema që mund të dëmtohen, shkatërrohen, etj, normalisht rezulton në marrjen e provave materiale. Nuk e dimë që është intervistuar ndonjëherë ndonjë funksionar në zyre të tij. Kjo paraqet trajtim ndryshe nga cilido qytetar, që mund të jetë i moshës së shtyrë, me probleme shëndetësore”.
Shefqeti insiston se qasja e Kurtit ndaj Prokurorisë po paraqet dëm tepër të madh.
“Kjo paraqet jashtëzakonisht dëm të madh në imazh, në besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe ndërtimin e një praktike që lind pyetja se cili person do jetë i obliguar apo një person që nesër nuk i paraqitet një procedure të ngjashme si Kurtit dhe rastin do ta dërgojë për diskriminim në Kushtetuese. Cili do jetë rezultati i shkeljes së të drejtave të njeriut nëse dikush trajtohet ndryshe”, ka deklaruar ai.