Reduktimet e energjisë elektrike, që prej ditësh kanë prekur qytete e zona të ndryshme të Kosovës, kanë prodhuar edhe pasoja të tjera. Banorë të disa fshatrave në Artanë dhe në Gjilan kanë mbetur edhe pa furnizim me ujë e ngrohje. E në Bibaj të Ferizajt, banorët kanë protestuar shkaku i situatës së krijuar
Që prej dy ditësh, Shefki Ibrahimi nga Pasjaku i komunës së Artanës, detyrohet që të mbushë bidonë më ujë nga burimi i fshatit për t’i furnizuar anëtarët e familjes me ujë për pije.
Ai ankohet se mungesa e energjisë elektrike, që ka prekur qytete e zona të ndryshme të Kosovës, ka ndikuar që banorët e fshatit të mbesin edhe pa ujë e ngrohje.
“Qe 24 orë, prej djeshi në orën 11:00 qe tash u bo ora gati 13:00, nuk ka rrymë, nuk ka ujë, nuk ka nxemje. Na kanë ardhë fëmija prej jashti qe janë detyru me i marrë pramë fëmijët me i çu në hotel, se ftoftë. Tash më thirrën në telefon: ‘A ka rrymë?’. S’ka, ja me u detyru tash biletat e m’u kthy për Gjermani”, thotë Ibrahimi.
Një tjetër banor thotë se situata me reduktimet ia ka vështirësuar përditshmërinë.
“Këto ditë boll u kanë katastrofë, sidomos në aksham po nalet. Si të nalet rryma kurrgjë. As ujë s’kem me i la durtë. Plot njerëz prej Gjilanit vijnë edhe marrin ujë këtu, se dje kur u nal prej 12:00 as në Gilan nuk ka pas”, tregoi ai.
Në Gjilan e në fshatrat përreth, sipas banorëve, mungesat e rrymës kanë zgjatur deri në afro 48 orë.
“Prej dje në orën 12:20 në lagjen ‘Dardania 1’ nuk ka pas rrymë deri në ora 02:30 në mbrëmje. Sot ka ardhë rryma por një fazë bën, një jo. Ndërsa në disa lagje të tjera ende nuk ka rrymë. Pa energji elektrike nuk bëjnë as kamina e peletit, e as klima”, thotë ai.
E në fshatin Bibaj të Ferizajt, banorët protestuan për të shprehur pakënaqësinë për situatën me rrymën.
“Jetoj në Amerikë, kam ardhur me shumë vullnet, e me thënë të drejtën jam shumë i zhgënjyer me rrymë. Është diçka jonormale e po më duhet të kthehem para kohe. Është katastrofë. Gjatë tërë kohës nuk ka pasur rrymë, nuk kemi mundur as të pastrohemi, për këtë arsye po kthehem”, thotë Ismet Pira, i cili protestoi për mungesën e energjisë.
Pos në amvisëri, mungesa e energjisë elektrike shkaktoi telashe edhe në biznese.
“E vështirë është shumë, sepse e kam një biznes, merrem me prodhimin e mobilieve dhe prej të martës unë i kam punëtorët në pushim. Është shumë vështirë, nuk e kemi arritur qëllimin për të prodhuar mobilie”, ka thënë Agron Aliu, banor i fshatit Bibaj.
Reduktimet e rrymës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Drejtori i KOSTT-it, një ditë më parë nxiti reagime kur e fajësoi “zhvillimin ekonomik” për mbingarkesën në rrjet.