Arbëri

Reduktime të rrymës edhe javën e ardhshme. “Fajtor” zhvillimi ekonomik

Ndërprerjet e energjisë nuk do të marrin fund në vikend. Drejtori i KOSTTI-t paralajmëroi se ato do të vazhdojnë edhe në javën tjetër dhe identifikoi zhvillimin ekonomik si fajtor për mbingarkesën në rrjet. Justifikime të kësaj natyre dha edhe ministrja e Ekonomisë. Deklaratat nxitën reagime.

Rajone të Kosovës pritet të përballen me ndërprerje të energjisë elektrike edhe gjatë javës së ardhshme, ka paralajmëruar kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri.

Pas takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ai theksoi se prodhimi është në maksimum, por tha se rrjeti po mbingarkohet shkaku i  “zhvillimit ekonomik”.

“Sistemi elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme si rezultat i zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit, si rezultat i kërkesës për energji gjithnjë në rritje, si rezultat i elektrifikimit të ekonomive tonë të bizneseve e familjeve...Problemi është i përkohshëm, pra vetëm në këtë javë dhe javën tjetër”, tha Zeqiri.

Në linjë me Zeqirin ka folur edhe ministrja Rizvanolli, ani se ajo kërkoi nga KOSTT-i dhe KEDS-i angazhim maksimal për furnizim të rregullt me energji elektrike dhe adresimin e problemeve në rrjetin energjetik.

“Duhet ta keni parasysh që numri i ndërtimeve të reja, numri i konsumatorëve të rinj në Kosovë në vitet e fundit ka qenë tejet i lartë, 60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem përgjatë tri viteve të fundit dhe 8500 biznese do të thotë diku 69 mijë konsumatorë të rinj i kemi vetëm përgjatë tri viteve të fundit”, tha ministrja Rizvanolli.

Deklaratat kanë nxitur shumë reagime në rrjete sociale.

E, zyrtarë opozitarë e kanë cilësuar të përçudshme atë.

“Tani kur përballemi me mungesë të energjisë në dimër, këta të paaftë që dinë të bëjnë vetëm deklarime të përçudnuara... Ta merr mendja se zhvillimi ekonomik ndodh vetëm në dimër e jo në verë”, tha deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Në KEDS thanë se ekipet në terren janë duke punuar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga mbingarkesa e që kanë lënë rajone të tëra për disa orë pa rrymë.

Thirrje për racionalizim të konsumit të energjisë elektrike bëri kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

“Si çdo dimër paraprak, qytetarët i lusim që të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë orëve 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë së furnizimit për vete dhe për të gjithë vendin tonë”, deklaroi Kurti.

Gjatë javës në shumë komuna ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Pas kësaj, janë organizuar disa protesta. Një të tillë e bënë të premten edhe banorët e fshatit Bardhosh të Komunës së Prishtinës.