Arbëri

Aksionet e policisë ulin çmimet e vajit dhe të karburanteve

Studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët nga kjo e premte do ta paguajnë përgjysmë çmimin e biletës së autobusit ndërurban. Këtë vendim e ka marrë Ministria e Infrastrukturës, teksa pothuajse të gjithë mekanizmat mbikëqyrës të shtetit ndaj abuzimit me çmime janë vënë në funksion, pas reagimeve të qytetarëve. Çmimet e produkteve, të cilat një ditë më parë u rritën për gati 100%, të premten shiteshin me çmim më të ulët. Gjoba në shumë prej mijëra eurosh u shpërndanë edhe gjatë të premtes, për fshehje të mallit nga bizneset.

Tek pas reagimeve të shumta të qytetarëve për abuzim me çmime të produkteve ushqimore, ekzekutivi ka vënë në funksion mekanizmat mbikëqyrës e ndëshkues ndaj disa bizneseve. Mbrëmjen e së enjtes dhe gjatë së premtes janë shqiptuar gjoba e sekuestrime në disa biznese.

Vetëm një ditë më parë, nëpër markete çmimi i vajit për ushqim kishte shkuar në 3 euro e 49 centë. Inspektorati i tregut në Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë ka mbyllur dy depo të maketeve, për shkak të konstatimit se kishin fshehur mijëra litra vaj, për ta rikthyer atë me çmim shumë më të lartë. E edhe Prokuroria ka paralajmëruar hetim për bizneset, që shfrytëzuan krizën në Ukrainë për rritje të çmimeve.

Në Rahovec, nga Drejtoria e Inspektoratit janë sekuestruar 4,676 litra të vajit për ushqim, në mungesë të dokumentacionit të origjinës. Sipas njoftimit, këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit.

“Drejtoria e Inspektoratit, Inspektorati i Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera. Këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, andaj Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”, thuhet në njoftim. “Gjatë këtyre dy ditëve po kryejmë inspektime intensive dhe inspektorët e tregut kanë konstatuar parregullsi, po ashtu kanë marrë masa në përputhje me ligjin: gjoba, si dhe masa të tjera administrative. Në një rast inspektorët komunalë të tregut gjatë inspektimit të një operatori ekonomik kanë sekuestruar 4676 litra të vajit, në mungesë të dokumentacionit të origjinës”.

Edhe Komuna e Skenderajt gjatë së enjtes ka gjobitur një market, për ngritje të çmimeve.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur së Drejtoria për Inspeksion e komunës e ka gjobitur marketin me 1,000 euro.

“Gjobë për secilin që provon të përfitojë në mënyrë të pandershme! Nuk mund të ndryshojmë rrjedhën e tregjeve botërore, por mund të shtojmë mbikëqyrjen në qendrat tregtare dhe dyqanet ushqimore, nëse ato apo kushdo tjetër që bën tregti luan me çmime, në këtë kohë pa kohë kur disa artikuj ushqimorë dhe joushqimorë kanë lëvizje të çmimeve”, ka shkruar Nura në Facebook. “Nuk do të lejojmë të shfrytëzohet rasti për përfitim të paligjshëm, siç është rasti i sotëm në një prej qendrave tregtare, ku 1 litër vaj është shitur me çmim prej 3.49 euro, pavarësisht çmimit shumë më të lirë të furnizimit. Zero tolerancë për abuzuesit”.

E, aksione nuk janë parë edhe në pika karburantesh. As nga Ministria e as nga Policia e Prokuroria nuk kanë kthyer përgjigje nëse është ndërmarr ndonjë aksion i tillë, pasi për pak ditë çmimet janë rritur për më shumë se 50 centë për litër.

Megjithëkëtë, gjatë së premtes janë vendosur çmime më të ulëta si për vajin ushqimor, po ashtu edhe për karburantet.

Por, reagim të institucioneve përgjegjëse kanë kërkuar edhe kompanitë që merren me ndërtim, për shkak se një gjë e njëjtë ka ndodhur edhe në shitjen e materialeve për ndërtimtari.

E, në shoqërinë civile i kanë mirëpritur aksionet dhe kanë bërë thirrje që urgjentisht të funksionalizohet Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, për të shmangur edhe ndonjë abuzim tjetër me çmime.

Fatbardha Restelica nga INDEP ka thënë se aksione të tilla të mekanizmave mbikëqyrës ishin dashur të realizoheshin më herët.

“Ne kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht, ky autoritet të ketë emrat e rinj të bordit dhe të bëhet funksional e të vijë në krye të detyrës. Do të duhej të kishte gjoba edhe më të rrepta e në masë më të madhe te bizneset, sepse gjendja ka qenë shumë e tmerrshme”, është shprehur ajo.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Sakip Imeri, ka thënë se, sipas të dhënave të fundit të doganës, importi i vajit është bërë me çmim 1,46 euro dhe se nuk është e arsyeshme rritja e çmimit të tij.

“Drejtori i doganës raporton se importi i fundit i vajit është bërë me 1,46 euro. Kjo ngritje e çmimit ka qenë diçka e befasishme dhe tejet shqetësuese për opinionin, duke marrë parasysh se në këto situata edhe efektet e informatave jo të drejta kanë rol në destabilizim të qytetarëve dhe në zbrazjen e portofolave të tyre, duke krijuar stoqe të panevojshme. Tregu është i mbushur me produkte bazike nuk ka arsye për shqetësim”, është shprehur ai.

Gjatë javës së shkuar janë ngritur edhe çmimet e biletave në transportin publik.

Por, Ministria e Infrastrukturës ka marrë vendim të premten që për një kategori udhëtarësh të përgjysmohet çmimi i biletave të transportit ndërurban për autobusët. Sipas zëvendësministrit Hysen Durmishi, nga vendimi nuk do të përfitojnë të gjithë.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritë që i prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobusë për fëmijët, studentët, invdalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Rritja më e ndjeshme e çmimeve është vërejtur që nga fundi i vitit të shkuar, por ato kanë marrë intensitet prejse ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia.