Arbëri

Raporti i Hysenit: Lajçaku tha se BE-ja nuk sheh zgjidhje tjetër pos njohjes reciproke

Njohja reciproke - Miroslav Lajcak

Zyrtarë të Bashkimit Evropian deri tash kanë mbajtur qëndrim neutral për statusin e Kosovës dhe nuk janë deklaruar për përmbajtjen që duhet ta ketë marrëveshja finale midis Kosovës dhe Serbisë. Por në një raport, që Skënder Hyseni e kishte përgatitur sa ishte koordinator nacional për dialogun, kishte shkruar se në një takim Miroslav Lajçak i kishte thënë se BE-ja nuk sheh zgjidhje tjetër pos njohjes reciproke. Hyseni dhe as BE-ja nuk kanë komentuar mbi përbaltjen e raportit

Në 23 korrikun e vjetëm, Skënder Hyseni ka marrë një garanci të madhe në një takim me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Zotimi lidhet me finalen e procesit të negociatave dhe atë e ka saktësuar në një raport për Qeverinë, që Hyseni e ka shkruar në kapacitetin prej koordinatori nacional për dialogun.

“Lajçak tha se në fund të procesit edhe BE-ja nuk shihte zgjidhje tjetër pos normalizimit dhe njohjes reciproke”, thuhet në raport. “Kjo nuk mund të thuhet hapur ende, theksoi ai, dhe shtoi se gjatë procesit palët duhet të kenë mundësinë e paraqitjes së qëndrimit të tyre rreth të gjitha çështjeve”.

Ndonëse Lajçak citohet të ketë thënë se këtë s’mund ta thotë publikisht, Qeveria Kurti e ka publikuar të premten raportin me këtë përmbajtje.

E, mbi këtë raport nuk kanë komentuar gjatë ditës Skënder Hyseni, e as zëdhënësit e BE-së, tek të cilët KOHA ka adresuar pyetje.

BE-ja e lehtëson procesin e dialogut që ka nisur prej një dekade. Por, deri tash, as Lajçak dhe as zyrtarë të tjerë në Bruksel nuk kanë folur publikisht për zgjidhjen finale që e synojnë.

Raporti 29-faqësh ishte hartuar fundvitin e shkuar dhe flet shkurtazi për pjesëmarrjen e Hysenit në dialog, e në disa raste edhe për takimet e nivelit të lartë.

Mes tjerash, në të tregohet se si Avdullah Hoti sa ishte kryeministër kishte pranuar të diskutohej për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por bisedat nuk ishin zhvilluar shkaku i kundërshtive në Prishtinë.

“Takimi i radhës në Bruksel ishte thirrur për datën 17 shtator, ku me delegacionin serb pritej të diskutohej për pretendimet, përkatësisht obligimet financiare dhe pronën. Nuk ishte e qartë nëse delegacioni serb do të vinte në Bruksel fare, meqë insistonin që në agjendë të futej edhe tema e hartimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne refuzonim kategorikisht të trajtonim këtë temë pas zhurmës dhe deklarimeve iracionale të liderëve partiakë dhe shtetërorë në Prishtinë, të cilët refuzonin të bisedohej për këtë temë”, thuhet në raport. “Po zhvillohej një garë totalisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme se cili ishte më ‘patriot’ se tjetri”.

Aty Hyseni tregon pretendimet se pse ndodhte kjo.

“Të gjitha kundërshtimet bëheshin ekskluzivisht për poenë të lirë politikë, sepse Marrëveshja e Asociacionin tashmë ishte obligim ndërkombëtar dhe detyrim për zbatim, pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës”, theksohet në raport. “Pra, në dialogun e Brukselit kërkohej vetëm hartimi i statutit të asociacionit sipas marrëveshjes së nënshkruar dhe ratifikuar. E statuti do të zbatohej vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohje”.

Mbështetur në këtë dokument, në raundet e deriatëhershme, si në nivel të koordinatorëve për dialog, ashtu edhe në nivel të lartë, ishte diskutuar për të pagjeturit dhe të zhvendosurit, raportet ekonomike dhe kishte nisur të trajtohej edhe çështja e obligimeve financiare dhe pronës. Derisa për elementet e tjera të marrëveshjes ishte arritur pajtimi në parim, dallime të mëdha kishte për obligimet financiare dhe pronën.