Lidhja demokratike e Kosovës (LDK) tha se e ka pranuar me shqetësim raportin e Departamentit amerikan të Shtetti për Kosovën, duke thënë se ai i konfirmon shqetësimet e ngritura.
Në një komunkatë për media, LDK-ja shtuar se raporti i dha “vulë paaftësisë së Qeverisë dhe korrupsionit”.
“LDK, në vazhdimësi ka tërhequr vëmendjen dhe ka denoncuar publikisht dyshimet për korrupsion nga Qeveria, duke përfshirë edhe qindra tenderë sekretë që kjo qeveri ka nënshkruar, në vlerë prej mbi 240 milionë euro. Pra ka propagandë dhe nuk ka luftë kundër korrupsionit siç pretendon Qeveria e Kosovës, gjë të cilën e vërtetoi dhe raporti DASH-it”, thuhet në reagim.
Partia opozitare ka ftuar Prokurorinë t’i trajtojë të gjitha shqetësimet, duke kërkuar që të zbatohet ligji “pa asnjë pengesë dhe të hetohen me seriozitet dyshimet për korrupsion e për papërgjegjshmëri qeveritare”.
“LDK është e përkushtuar të vazhdojë të ngris zë në mbrojtje të institucioneve tona, nga korrupsioni që ka instaluar kjo Qeveri. LDK po ashtu do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucional që përgjegjësit për veprat e tyre të jenë para ligjit. Kosova meriton një qeverisje të pastër dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e saj, dhe ne jemi të vendosur të punojmë drejt këtij qëllimi”, thuhet tutje në reagim.
Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut thotë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.
Raportin e plotë mund të lexoni këtu.