Arbëri

Raporti i DASH-it flet për Banjskën e mohimin e Kishës Ortodokse serbe për “bashkëfajësi”

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit përmendet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare, i publikuar në fund të qershorit. Dokumenti i përvitshëm, i cili nxirret për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, thekson zhvillimet që e ndërlidhnin përfshirjen e mundshme të Manastirit të Banjskës në organizimin e sulmit, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Raporti po ashtu evidenton moszbatimin e ligjit në komunat e populluara me shumicë serbe, kur vjen puna te ligjërimi i fesë në institucionet arsimore; si dhe vonesat në miratimin e ligjit për fetë

Ankesat e Kishës Ortodokse serbe ndaj deklaratave publike të cilat e kanë ndërlidhur atë me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, janë përfshirë në raportin për vitin 2023 të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për liritë fetare. 

Në këtë raport janë përshkruar zhvillimet e ditës së sulmit, kur grupi i serbëve të armatosur është futur brenda manastirit të fshatit, si dhe deklaratat dyshuese që kanë pasuar rreth implikimit të mundshëm të Manastirit në planifikimin e sulmit. 

Por sipas raportit të DASH-it, grupi ishte futur me forcë brenda manastirit, në të cilin gjendeshin rreth 40 pelegrinë nga Serbia. 

“Më 24 shtator, një grup i organizuar, i armatosur dhe i trajnuar i serbëve etnikë e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë një rreshter policie dhe duke plagosur dy oficerë të tjerë. Më pas, grupi hyri me forcë në kompleksin pranë Manastirit të Kishës Ortodokse Serbe (SOC) në Banjskë dhe luftoi me policinë për disa orë, edhe nga prona e manastirit, ndërsa abati i Kishës dhe afërsisht 40 pelegrinë nga Serbia u izoluan në manastir derisa grupi u largua. Policia tha se tre sulmues u vranë gjatë përleshjes”, shkruan në raport.

Më tej, aty thuhet se pas luftimeve, Policia, personeli i Forcave të NATO-s në Kosovë dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) kanë hyrë në Manastir dhe i kanë gjetur aty të palënduar anëtarët e Kishës dhe pelegrinët. 

“Sipas Kishës (KOS), manastiri pësoi dëmtime të vogla në portat dhe derën e konakut, e cila ishte jashtë ndërtesës kryesore të manastirit. Në një konferencë shtypi të 29 shtatorit dhe duke folur në emër të zëvendëspresidentit të Listës Serbe të sanksionuar nga SHBA-ja, Milan Radojçiq, avokati i Radojçiqit tha se klienti i tij ishte përgjegjës për organizimin, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë. Avokati i Radoiçiqit njoftoi gjithashtu dorëheqjen e Radojçiqit nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe. Autoritetet serbe e arrestuan Radoijçiqin më 3 tetor dhe e liruan më 4 tetor, në pritje të hetimeve të mëtejshme, të cilat vazhduan në fund të vitit”, shkruan në raportin e DASH-it, në të cilin janë evidentuar edhe ankesat e Kishës Ortodokse Serbe ndaj deklaratave që e kanë ndërlidhur atë me sulmin në Banjskë. 

“Kisha Ortodokse Serbe (KOS) dënoi sulmin ndaj policisë dhe u ankua për deklaratat publike të zyrtarëve qeveritarë, figurave publike dhe mediave që pretendonin se Kisha ishte bashkëfajtore në sulm. Për shembull, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u tha mediave në shtator se ka ‘indikacione se kishte përfshirje të drejtpërdrejtë’ të stafit të manastirit në aksion. Më 25 shtator, Kisha (KOS) deklaroi se ‘as EULEX-i dhe as policia nuk gjetën asgjë që mund të komprometonte manastirin’ dhe tha se ‘armët e zjarrit, jelekët antiplumbë dhe pjesët e pajisjeve’ që u gjetën pas sulmit ‘ishin hedhur nga personat e armatosur, pasi ata u tërhoqën nga manastiri’”, shkruan në raport.

“Policia ndaras raportoi se një sasi e madhe armësh dhe automjetesh u gjetën ‘në dhe përreth manastirit’, duke përfshirë raketahedhës, predha mortajash, granata, eksplozivë dhe armë të vogla. Në tetor, përkundër mohimit të Kishës, ministri Sveçla tha për mediat se nuk do të habitej nëse manastiri do të kishte gisht në sulm, sepse ‘Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë ka luajtur një rol shkatërrues ndaj paqes në rajon dhe ka qenë pjesë e politikës hegjemoniste të Serbisë’. Në fund të vitit, hetimi i qeverisë për incidentin vazhdoi”. 

Përderisa raporti i DASH-it ka evidentuar akuzat e Qeverisë së Kosovës se Kisha është bashkëfajtore, pak muaj para sulmit, deputetja britanike Alicia Kearns, pati thënë se kishat ortodokse në veri po shfrytëzohen si depo për mbledhje të armatimit. 

Raporti i DASH-it ka evidentuar se zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës nuk vazhdon të vlejë në komunat e populluara me shumicë serbe, kur vjen puna te përfshirja e fesë në institucionet arsimore. 

“Sipas ligjit, ‘Institucionet arsimore publike duhet të përmbahen nga mësimi i fesë apo veprimtarive të tjera që propagandojnë një fe të caktuar’. Ky ligj është i pazbatueshëm në shkollat që funksionojnë dhe financohen nga strukturat paralele të drejtuara nga qeveria serbe, mbi të cilat qeveria e Kosovës nuk ka asnjë kontroll”, thotë raporti. 

Sa i përket zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ia njeh Manastirit të Deçanit pronësinë mbi 26 hektarë tokë, në raport janë evidentuar deklaratat refuzuese të liderëve për zbatimin e tij. 

“Presidentja Vjosa Osmani tha se zbatimi i vendimeve të mëparshme të gjykatave në lidhje me pronën e kontestuar të manastirit ‘mund të krijojë një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm’”, shkruan në raport.

Dokumenti i Departamentit Amerikan të Shtetit përmend edhe ndalesën që Policia e Kosovës ua kishte bërë klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe për të kryer liturgji në kishën e kontestuar brenda kampusit universitar.

Veç tjerash, dokumenti thekson angazhimit rreth amendamentimit të ligjit për liritë fetare, nëpërmjet të cilave u mundësohet grupeve fetare ta marrin statusin ligjor. Por, sipas DASH-it, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim gjatë vitit 2023. 

Raporti i DASH-it flet edhe për mosadresimin e rekomandimeve të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës me rastin e regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), pasi kufizonte individët të identifikoheshin me një komunitet fetar përtej “islamit, ortodoksizmit apo katolicizmit”. 

“...Agjencia e Statistikave të qeverisë nuk mori parasysh rekomandimet e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës për projekt-pyetësorin e regjistrimit, i cili i kufizonte individët të vetë identifikoheshin me një komunitet fetar përtej “islamit, ortodoks apo katolik” dhe për këtë arsye nuk ofronte një mundësi për disa grupe fetare, si Tarikatet, të vetë identifikohen si komunitete të veçanta”, shkruan në raport. 

Sipas vlerësimit të SHBA-së, që është evidentuar edhe në raport, numri i popullsisë në Kosovë është 2 milionë. Aty përmendet se mbështetur në regjistrimin e vitit 2011, 95.6 për qind e popullsisë është myslimane, 2.2 për qind katolike romake dhe 1.4 për qind ortodoksë serbë, pastaj 1 për qind protestantë, hebrenj dhe persona që nuk deklarohen se cilës fe i përkasin.