Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) mbi “Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, vlerëson Shqipërinë një vend burim i kanabisit dhe një bazë lokale për grupet e krimit të organizuar që lëvizin drogat e paligjshme nga vendet e origjinës në tregjet evropiane.
Sipas raportit, “kanabisi shqiptar dërgohet në Turqi dhe këmbehet me heroinë e kokainë, të cilat kontrabandohen nëpër Evropë nga trafikantët shqiptarë”, të cilët vlerësohen se “luajnë një rol të madh në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe rrjetet e krimit të organizuar”.
Shqipëria konsiderohet si “një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, ndërsa vihet në dukje se “grupet shqiptare të krimit të organizuar janë të pranishme në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe në të gjithë Evropën, si dhe në Amerikën e Jugut, duke përfshirë Ekuadorin, Kolumbinë dhe Perunë".
Grupet shqiptare vlerësohet të kenë shtrirë praninë e tyre në të gjitha hallkat e trafikut që nga blerja, transporti, shpërndarja deri te zinxhiri i shitjeve në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Raporti thekson se “autoritetet shqiptare regjistruan një rritje të konfiskimeve të kokainës në Portin e Durrësit në vitin 2021, kryesisht në dërgesat e bananeve nga Ekuadori” dhe se “forcat shqiptare të rendit morën pjesë në disa operacione të zbatimit të ligjit në shumë shtete në vitin 2021, me shtetas shqiptarë të arrestuar, ndër të tjera në Greqi, Itali, Spanjë dhe Holandë”.
Po ashtu në raport përmendet dhe bashkëpunimi me amerikanët për arrestimin dhe sekuestrimin e dërgesave të narkotikëve si dhe të laboratorëve të përpunimit të drogës në Shqipëri, apo sekuestrimin e aseteve në Shqipëri, të lidhura me trafikun ndërkombëtar ndërkombëtar të drogës.
Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, vlerësohet të ketë “regjistruar disa suksese në vitin 2021, duke bërë arrestimin e 38 personave, përfshirë një prokuror dhe disa zyrtarë të lartë të policisë, si pjesë e një hetimi të madh ndërkombëtar për trafikun e lëndëve narkotike”.
Sipas raportit “sundimi relativisht i dobët i ligjit, korrupsioni dhe niveli i lartë i papunësisë janë nxitësit kryesorë” të fenomenit të drogës në Shqipëri. Krimi i dhunshëm në Shqipëri është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe, gjyqtarë, prokurorë, policë dhe gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve”. Raporti vë në dukje se “grupet shqiptare të krimit të organizuar vazhdojnë të pastrojnë të ardhurat në Shqipëri dhe të kontribuojnë në korrupsionin në vend. Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për reformën në drejtësi, të forcojë rregulloret dhe mbikëqyrjen kundër pastrimit të parave dhe të punojë për të gërryer ndikimin e krimit të organizuar në të gjithë qeverisjen dhe shoqërinë”.
Dy javë më parë, Europol (Agjencia evropiane për bashkëpunim të zbatimit të ligjit), pas një operacioni të përbashkët kundër trafikantëve të drogës, ka arrestuar 45 persona, ndërkohë që deklaroi se kriminelët shqiptarë kanë vërshuar Evropën me kokainë. Europoli tha se “ky rrjet kriminal i nivelit të lartë ka themeluar një sërë ndërmarrjesh në shtete të ndryshme për të pastruar paratë, përfshirë edhe në Kroaci e Spanjë. Pjesëtarët e këtij grupi shpesh kanë udhëtuar në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të aranzhuar bizneset e tyre ilegale, duke përdorur komunikim të koduar për të koordinuar aktivitetet e tyre”.
Edhe zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) ka dhënë alarmin për zgjerimin e mafies shqiptare në Evropë. Kjo organizatë kriminale po luan një rol udhëheqës në tregun evropian të drogës, sidomos kokainës. Sipas UNODC, shqiptarët janë të përfshirë jo vetëm në tregti, por edhe në transport dhe logjistikë. Ndërsa heroina po kalon nga Afganistani në Evropë përmes Ballkanit, shqiptarët tashmë po punojnë për të ndërtuar një urë me talebanët.
Klanet shqiptare kontrollojnë gjithashtu portet e tyre në Shqipëri, ato të Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë në Adriatik dhe i përdorin për trafik droge nga Afganistani në Evropën Perëndimore.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Përmes një mesazhi në Twitter, ai tha se rritja e sasisë së kokainës të kapur nga autoritetet shqiptare në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 dhe pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në operacione të përbashkëta ndërkombëtare, janë tregues të rëndësishëm që dëshmojnë efikasitetin e punës së strukturave dhe besimin e rritur te Policia e Shtetit.