Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, ka thënë se përfaqësimin e Kosovës në CEFTA pa UNMIK nuk e sheh si rezultat të madh, megjithatë thotë se është i rëndësishëm në aspektin politik.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Ramosaj ka thënë se është shënuar hap pozitiv në kuptimin e përfaqësimit të Kosovës.
“Një hap pozitiv është bërë në kuptimin e përfaqësimit tonë, sepse s’do të kishte kuptim as logjik e as politik që ne të thirremi në emrin e UNMIK-ut, kur po bëhet përpjekje e madhe e partnerëve tanë që UNMIK-u e ka kryer misionin e tij në Kosovë dhe ashtu siç ka ardhur edhe duhet të largohet. Unë nuk e shoh këtë si rezultat shumë të madh, por si vlerë e shtuar në aspektin politik e ka rëndësinë e vet”, ka thënë ai.
Ramosaj ka shtuar se përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore ka më së paku rëndësi. Ajo që është e rëndësishme sipas tij është se Kosova përfaqësohet si Republikë.
“Esenca në krijimin e marrëdhënieve tregtare është në pozicionin tonë të barabartë si partner, më së paku është se a ka fusnotë apo jo, me rëndësi është që Kosova është aty si Republikë e përfaqësuar dhe marrëveshjet do të bëhen në këtë kuptim”, është shprehur ai.
Prej vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe, sipas Ramosajt, kanë filluar probleme shumë të mëdha.
“Kur janë në pyetje marrëdhëniet tregtare, raportet u ngrinë në kohën e fundit si rezultat i situatës jo të mirë që patëm, pas ndërhyrjes flagrante që bëri Serbia në Banjskë, faktikisht u krijua raporti i një ekonomie të luftës. Ky raport pasoi me veprime të caktuara të Qeverisë që në fakt mori këtë masë të sigurisë”, ka thënë ai duke shtuar se tani shumica e bizneseve apo prodhimeve nga Serbia e Bosnja, një pjesë e madhe e tyre e kanë humbur tregun kosovar. “Kur mungon për një periudhë të gjatë bëhet zëvendësimi i kërkesës”, ka deklaruar Ramosaj.