Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur plan të mirëmenduar për shëndetësinë, ka thënë Saranda Ramaj, gazetare në Grupin KOHA. Ajo ka theksuar se nuk ka pasur ndryshim sistematik, pos renovimeve në spitale.
Ramaj në Interaktiv të KTV-së është shprehur se të tre udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë nga VV-ja gjatë mandatit të Qeverisë – Arben Vitia (ministër), Rifat Latifi (ministër), Dafina Gexha-Bunjaku (u.d. ministre) – kanë pasur ide të kundërta për shëndetësinë.
“E çuditshme është që VV është pa koalicion paszgjedhor në Qeveri dhe kur mendon që ministrat brenda VV-së qoftë si ushtrues detyre apo mandat që ua ka dhënë Kurti, kanë pasur ide aq kontradiktore me njëri-tjetrin, dhe kur e sheh punën e tyre për katër vjet në shëndetësi e sheh punë copa-copa sepse nuk ka qenë plan që ka filluar nga ministri Vitia, ka vazhduar nga z. Latifi, pastaj nga znj. Bunjaku dhe pastaj sërish Vitia. Ka shkëputje sepse idetë e tyre kanë qenë plotësisht të ndryshme për shëndetësi. Kjo nënkupton që VV nuk ka pasur plan të mirëmenduar si ta menaxhojë shëndetësinë. E kanë marrë Ministrinë e Shëndetësisë dhe pastaj si ka rrjedhur. Fakti që nuk ka pasur plan konsistent, e ka sjellë situatën këtu kur flasim shumë për renovime, por nuk mund të flasim për ndryshim sistematik”, ka thënë ajo.
Të mërkurën Qeveria ka miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ramaj ka thënë se ka qenë gabim i secilës parti premtimi gjatë fushatës zgjedhore për realizimin e sigurimeve shëndetësore.
“Premtime të tilla kemi pasur shumë herë dekadën e fundit dhe nuk besoj se kanë qenë të sinqerta, por që janë bërë në kohë fushatash”.
Sipas Ramajt, zbatimi i tij është i komplikuar dhe nuk mund të arrihet për katër vjet.
“Është e komplikuar sepse kemi mungesë të memories institucionale, kuadrove që kanë punuar me sistem të informimit shëndetësor dhe mungesa e ekspertëve të kësaj fushe , e bënë më problematike. Ajo që është korrekte nga kjo Qeveri, në fushata ka qenë gabim i secilës parti kur e kanë premtuar sigurimet shëndetësore. Sigurimet shëndetësore nuk kanë mundur të realizohen për katër vjet, është e pamundur sepse parakushtet për realizim... ta zëmë sistemi informimit shëndetësor ka qenë i dështuar”, ka shtuar ajo.
Siç ka theksuar Ramaj, “ka një proces goxha të gjatë për realizimin në mënyrë 100% të sigurimeve shëndetësore”.