Gazetarja e KOHËS, Saranda Ramaj, ka deklaruar se gjyqtarët në Kosovë bien në ndikimin e publikut, duke shtuar se gjyqtarët duhet të kenë guxim profesional dhe të punojnë në linjë me parimet e drejtësisë.
Sipas Ramajt, integriteti i gjyqtarit nënkupton që të dalë edhe kundër mendimeve të lira të qytetarëve.
“Gjyqësori i nënshtrohet presionit publik edhe për mirë edhe për keq. Mendoj se gjyqtarët duhet të jenë të pavarur në mendime. Nëse pesë qytetarë ankohen në rrjete sociale, gjyqtari do të ndikohet nga ajo çështje. Mendoj se i frikësohen presionit publik, e ai s'duhet t'i frikësohet. Nëse krejt Kosova mendon se një gjë është gabim e gjykata s’po vendos ku gjyqtari me bindje të lirë ka ardhur te ai vendim, ai duhet të jetë mjaftueshëm i guximshëm sepse ky është integriteti i gjyqtarit, të del edhe kundër mendimit të lirë të qytetarëve”, ka deklaruar Ramaj në “Konfront” të KTV-së.
Ajo ka potencuar se në Kosovë është keqkuptuar presioni publik pasi “nuk duhet të jenë vendimet e gjykatës në atë çka mendojnë qytetarët”.
Ndërsa, avokati Hashan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit, ka thënë se nëse gjyqtari bie nën ndikimin e publikut, ai më nuk është gjyqtar.
Sipas tij, sulmi më i madh ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë bëhet nga ato të zyrtarëve publikë.
“Gjyqtari që bie pre e intervenimit nga jashtë ,ai s'e ka emrin gjykatës. Nuk guxon gjyqtari të bie pre e sulmeve në opinion. Kur një deputet, ministër apo kryeministër del e thotë ky është sistem i kalbur, këto janë gjëra që duhet të kenë kujdes...Të gjithë vërejtjet ndërkombëtare që vijnë janë që kemi ndërhyrje në sistemin e drejtësisë pasi edhe deklarimi i ekzekutivit konsiderohet ndërhyrje”, ka thënë Shala.
Shala: Ka të burgosur para vdekjes, keq për shtetin nëse dikush vdes në burg
Avokati Hashan Shala ka thënë se të burgosurit që vlerësohen nga mjekët se janë në prag të vdekjes, duhet të lirohen. Sipas tij, nuk është mirë për shtetin kur të burgosur vdesin në burgje.
Shala e sheh problem vdekjen e të burgosurve në qendra korrektuese.
“Sot ke të burgosur që janë para vdekjes dhe nuk ka mundësi në këtë sistem të drejtësisë që ai të lirohet, të mos vdesë në burg. Vdekja nëpër burgje është një minus i madh për shtetin. Rasti kur konstatohet se është i sëmurë dhe gati në fund të vdekjes që e konstatojnë mjekët, duhet të lirohen. Nuk është mundësi për t’i liruar nëse i dërgojmë në spital, por ai duhet të lirohet ose me kusht ose të falet nga presidentja që të mos vdesë në burg dhe besoj kësi raste ka shumë”, ka thënë ai.
Arratisja e të burgosurve, drejtori Dibrani: Jemi liderë në rajon për sigurinë në burgje
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka thënë se sa i përket sigurisë në burgje Kosova prin në rajon.
Ai e ka vlerësuar nivelin e sigurisë në institucionet korrektuese si “i kënaqshëm”.
“Arratisje nga burgjet e fundit ka ndodhur më 2018, ka raste kur persona të tillë që ligji u lejon shfrytëzimin e vikendit apo transferim në institucionin e tipit të hapur u niveli i sigurisë është i ulët, këta persona mund të mos kthehen. Vetëm nga viti 2007 janë diku 70 raste të moskthimit nga vikendi apo largimi i institucionit të tipit të hapur”, ka thënë Dibrani në "Konfront".