Arbëri

Ramadani thotë se ligji për KPM-në eliminon "mediat e sheshit" që shkelin Kodin Etik

Valon Ramadani

Deputeti nga partia në pushtet, Valon Ramadani, njëherësh anëtar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, ka thënë se ligji për KPM-në eliminon “mediat e sheshit” që shkelin Kodin Etik. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Ramadani ka thënë se qëllimi ny7k është për t’i censuruar mediat, por që të respektohet kodi etik.

“Sot kushdo po ka mundësi me një kamerë dhe mikrofon të dalë në shesh dhe çdo kund dhe askush nuk e di se kush është. Sot po ballafaqohemi me këtë fenomen në të gjitha sheshet e Kosovës, ku një prej tyre për mua ishte skandaloze sepse edhe forma e pyetje u bë kështu: Ku do të jesh ti pas pesë vjetësh. Pyetja iu shtrua një personi që ishte diku rreth 80 vjet dhe përgjigja e tij ishte: pas pesë vjetësh unë jam në dhe.  Nuk po e bëjmë ligjin për t’i censuruar ata për atë se çfarë po bëjnë, vetëm duam që ajo që është media ta ketë vulën e garancisë, le të dihet lista që është e publikuar që dëshiron ta respektojë kodin etik, duke përfshirë edhe gjobën nëse ka bërë shkelje”, ka thënë ai.


Gjinovci: Vetëvendosje po rritet pa bërë asgjë, s’ka asnjë projekt

Rron Gjinovci, panelist i emisionit “Konfront”, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke u rritur në sondazhe “pa bërë asgjë”.

Në debatin për ligjet problematike dhe atakimin e tyre në Kushtetuese, Gjinovci ka thënë se Vetëvendosje nuk po rritet për shkak të punëve të veta, por për shkak të kritikave nga njerëzit, që ai i ka quajtur jokredibilë.

“Kjo parti fatkeqësisht po rritet vazhdimisht, ka mbërri në 49.6 për qind pa bë asgjë. Kurrfarë arritje në qeverisje nuk e ka. Për shkak të personave jokredibilë që dalin dhe e shajnë këtë qeveri. Dhe rrënuesit e vërtetë të demokracisë janë ata që dalin, e shajnë këtë qeveri, dhe u japin qytetarëve motiv për ta votuar këtë qeveri. Kur t’i mbërrijë 60-70 për qind do të bëhet kërcënim për demokracinë. Jo se këta (VV) kanë dashtë, por këta që po i kritikojnë e s’kanë kredibilitet po i çojnë te ajo përqindje enorme”, ka thënë Gjinovci.

“Këta nuk kanë kurrfarë arritje domethënëse. Mundohem ta imagjinoj, por kjo është qeveri e meremetimeve dhe e vazhdimit të rrugëve të projekteve të qeverive të kaluara. E vetmja arritje e kësaj qeverie është se s’jemi të korruptuar. S’është arritje, është suazë normale në të cilën duhet të funksionojë politika”, ka shtuar ai.


Spahiu: Projektligji nuk zgjidh padrejtësitë, ua lë në dorë kabllorëve "të PDK-së"

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Projektligji për KPM-në nuk i zgjidh padrejtësitë në lidhje me renditjen e televizioneve në kabllorë. 

Ai e ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës se “i ka në dorë” të gjithë kabllorët pa përjashtim dhe se ajo vendos se cili televizion ku të renditet në bazë të preferencës politike. 

Sipas tij, ardhja në pushtet e Vetëvendosjes nuk e ka përmirësuar këtë parregullsi.

“Përpara ka qenë transmetimi tokësor krucial, tash është kabllor. P.sh., KTV-ja mund të paguajë taksë 13 mijë euro në vit, ndërsa një televizion tjetër paguan 500 euro dhe renditet para KTV-së në kabllor. Kjo është absurde. Këto janë padrejtësi të cilat ligji do të duhej t’i rregullonte. Version që unë e kam lexuar, ky ligj nuk e rregullon këtë padrejtësi. Akoma i lë në dorë shpërndarësve të rrjeteve, të cilat i ka pasur në dorë PDK-ja deri më tani, të gjitha pa përjashtim, ata e kanë vendosur se ku të vendoset secili televizion në bazë të preferencës politike. Këtë gjë ardhja e Vetëvendosjes në pushtet nuk e ka përmirësuar”, ka thënë Spahiu. 


Spahiu: Projektligji për KPM-në ka mendësi më shumë policore sesa zhvillimore

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media ka mendësi më shumë policore sesa zhvillimore. 

Të enjten në debatin mbi “Ligjet problematike dhe atakimi i tyre në Kushtetuese”, Spahiu ka thënë se hartuesi i ligjit ka përdorur mendësi policore sepse tentohet kontroll i rreptë i financimit të mediave.

“Përshtypja ime kur e kam lexuar këtë draftin që ka dalë në diskutim publik, ka qenë që është bërë më tepër nga një mendësi policore sesa një mendësi zhvillimore. Mendësi policore të hartuesit të ligjit, sepse aty dallimet substanciale me ligjin në fuqi, janë që ka një kontroll më të rreptë financiare se kah po hynë burimet e mediave gjë që duhet të jetë një brengë kryesore”, ka thënë ai.