Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka zgjedhur që për të gjitha pyetjet të cilave nuk u ka dhënë përgjigje rreth kontratës 12-milionë eurosh për “Shërbimin e Arkitektit të Qytetit” të mbajë konferencë maratonike. Në tetë orët e kësaj konference, ai e justifikoi mungesën e përgjigjeve me vëllimin e madh të punës teksa e bëri edhe prezantimin e disa projekteve kapitale për kryeqytetin
Ka rreth një muaj qëkur KOHA i ka adresuar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me kontratën 12-milionë eurosh për “Shërbimin e Arkitektit të Qytetit”, porse për pjesën dërrmuese të tyre asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
E të premten, kryetari i Komunës, Përparim Rama, bashkë me përfaqësues të konsorciumit fitues të tenderit, mbajtën konferencë rreth tetorëshe, me justifikim që të jepen të gjitha përgjigjet e kërkuara. Krahas komunës, përgjigje për çështjen nuk patën dhënë as në konsorciumin fitues.
E kryetari Rama e arsyetoi mungesën e përgjigjeve me vëllimin e madh të punës.
“Sa i përket transparencës, Komuna e Prishtinës po synon që të behët komuna me transparente në bazë të mundësive që i kemi. Marrim faktikisht qindra pyetje çdo ditë. E kemi stafin që përgjigjet. Ndodh që derisa përgjigjemi një palë pyetjeve, të vinë edhe pyetje të tjera. Nëse merremi vetëm me pyetje nuk mundemi me krye asnjë punë, sepse ka pyetje të vazhdueshme. Andaj, kemi menduar që një konferencë si kjo sot, që është konferencë tërë-ditore, ku edhe çfarë do tjetër pyetje që mundeni me pas mundemi me iu përgjigje, sepse u kemi lënë kohë gjatë gjithë ditës për çfarëdo detaji për të cilin jeni të interesuar”, ka deklaruar Rama.
KOHA për mungesën e vazhdueshme të përgjigjeve nga ky institucion, edhe përtej afateve ligjore, ka bërë ankesë në Agjencinë për Privatësi, që rastin e ka ende në trajtim.
Në konferencë, Rama prezantoi projektet kapitale që kalojnë përmes Shërbimit të Arkitektit të Qytetit. Për disa prej tyre, ai tha se e synon bashkëpunim me sektorin privat, pa të cilin theksoi se do të kishte zvarritje, shkaku i buxhetit të kufizuar.
“E përmenda dhe kam me përmendë gjithmonë sektorin privat, sepse sektori privat duhet me qenë pjesë e zhvillimit të kryeqytetit. Mundësia më e mirë e zhvillimit të kryeqytetit është përmes sektorit privat. Kjo nëpërmjet projekteve publiko-private, përmes bashkinvestimeve. Pra, në këtë mënyrë ne, në mënyrë të përshpejtuar, mundemi me e zhvillu kryeqytetin. E di që këtu ka frikë, një lloj treme në relacion me këtë. Por unë besoj që kjo temë duhet me u tejkaluar”, ka theksuar ai.
Kontrata e “Shërbimit të Arkitektit të Qytetit” është kritikuar në vazhdimësi nga asamblistët e opozitës në Komunën e Prishtinës.