Arbëri

Rama shpall gjendje të jashtëzakonshme me mbeturina në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në konferencë për media me drejtorin e Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci

Foto: Alban Bujari

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme sa i përket mbeturinave në kryeqytet.

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, Rama ka thënë se janë angazhuar kompani private për menaxhim të mbeturinave pasi kompania “Pastrimi”, sipas tij nuk ka kapacitet ta kryejë menaxhimin e tyre e vetme. 

“Kemi angazhuar kompani private për menaxhim sepse “Pastrimi” s’ka pas kapacitet ta bëjë menaxhimin e mbeturinave. Prej që ka ardhur, (Bekim v.j.) Brestovci gjendja është përmirësuar. Por, dikujt si duket i ka penguar, LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallë do ta vazhdojmë edhe tash”, ka thënë ai. 
Javë më parë pati grevë nga ana e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, gjë që ka shkaktuar mbushjen e lagjeve të ndryshme të Prishtinës me mbeturina.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka thënë se me këtë gjendje janë dërguar sinjale politike. Sipas tij, opozita në Kuvendin komunal, LVV-ja dhe PDK-ja kanë marrë vendime që bien ndesh me ligjin. 

Për gjendjen e krijuar, në Komunën e Prishtinës patën fajësuar bojkotin që punëtorët e ndërmarrjes e ndërmorën për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeshefit të “Pastrimit”.

Lidhur me angazhimin e privatëve në pastrimin e Prishtinës, punëtorët e “Pastrimit” kanë protestuar gjatë muajit nëntor. Me anë të kësaj proteste, rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes patën shprehur drojën se mund të mbesin pa punë. 

Kryeshefi i “Pastrimit” akuzon Ramën për manipulim: Betejë për tenderë e kontroll mbi paranë publike

2 muaj më parë / 3 shk 2025 13:45
Pastrimi

Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, e ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama për manipulim vetëm për t’ua dhënë tenderët miqve të tij. 

Përmes një reagimi pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave nga Rama, Reçica ka thënë se Rama po bën veprime që bllokojnë shërbimet publike dhe krijojnë kaos.

“Më 07.01.2025, përmes një emaili drejtuar kryetarit Rama dhe z. Bekim Brestovci, kam kërkuar një takim për të koordinuar shërbimet e pastrimit në kryeqytet. U deshën më shumë se 10 ditë për një përgjigje, dhe në atë takim dukej i vendosur që pastrimin t'ua jepte kompanive private, duke treguar qartë mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar këtë çështje. Për më tepër, Rama ka kërkuar nga disa punëtorë të ‘Pastrimit’ të sabotojnë shërbimin, vetëm që të krijojë kaos për të ja dhënë tenderin për grumbullimin e mbeturinave kompanisë private dhe të gjejë një arsye për shkarkimin tim (për të cilat kemi fakte të mjaftueshme)”, ka shkruar Reçica në Facebook.

Ai tutje ka thënë se punëtorët e “Pastrimit” po punojnë pa pushim për shtatë ditë të javës, por sipas tij, synimi është hapja e një tenderi me negocim. 

“Për ta bërë më të qartë për gjithë qytetarët po duket se është duke u përgatitur e njëjta skemë siç është përdorur në shkurtin e vitit 2024 ku është negociuar kompania private e cila duket se mund të jetë përsëri e njëjta. Përmes këtyre veprimeve të kundërligjshme fillimisht u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender i ndarë në pesë llote në vlerë 16.5 milionë euro, me kritere të përgatitura sipas qejfit për të favorizuar emrat e dëshiruar. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit, favorizimet të operatorëve të caktuar si dhe tendencën për të përjashtuar dhe falimentuar KRM ‘Pastrimin’. Këtë herë, duket qartë që synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku edhe ekzistojnë dyshime se fituesi është i paracaktuar, kompania që tradicionalisht ka lidhje me pushtetin komunal. Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka shtuar ai. 

Sipas tij, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike.