Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se trafiku i mbingarkuar ka qenë për një kohë të gjatë problematikë me të cilën është përballur kryeqyteti.
Sipas Ramës ky ishte një telash i madh, të cilin nuk mund ta linin pa i dhënë zgjidhje.
“Fillimisht na duhej të dinim sa makina hyjnë e dalin dhe sa qarkullojnë rrugëve të Prishtinës. Kemi vendosur 18 kamera në rrugët dhe udhëkryqet kryesore të qytetit. Dhe për dy javë rresht e kemi matur trafikun, përgjatë 24 orëve. Tani e dimë që 140 mijë makina hyjnë brenda ditës në qytet. Prej tyre, 13 mijë vetëm gjatë orës kulmore, nga të cilat 9 mijë qarkullojnë vetëm në unazën e brendshme”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka thënë se pritjet mesatare në semaforë kanë dalë të jenë 298 sekonda për automjet.
“Pra, mijëra euro humbje ditore në karburant. Dhe dhjetëra e qindra mijëra të tjera në orë pune”, ka shkruar ai.
Por, sipas tij krejt, këto i takojnë të shkuarës.
“Zgjidhja e problemit të trafikut nga Shërbimi i Arkitektit i Kryeqytetit (SHAK) dhe kryeqyteti bën të mundur që pritja në semafor të zvogëlohet për 95%, shpenzimet e karburantit për 80% dhe që shpejtësia mesatare e lëvizjes të rritet nga 12 km/h sa ishte, në 37 km/h”, ka shkruar ai.
Sipas tij një qark i plotë në unazën e brendshme të qytetit, i cili paraprakisht zgjaste 55 minuta, tani kryhet për 12 minuta.
Këto të dhëna Rama i ka paraqitur edhe në konferencë tërëditore që po mbahet sot, për të prezantuar punën dhe projektet që janë duke u realizuar nga Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit.

Zgjidhja e Ramës për trafikun: Nënkalime për vetura e mbikalime për këmbësorë
Tutje Rama ka shkruar se bulevardet dhe sheshet e reja në njërën anë dhe riorganizimin i trafikut në anën tjetër e bëjnë të domosdoshëm eliminimin e pikave të konfliktit midis këmbësorëve dhe makinave.
Për këtë arsye ai ka thënë se po ndërtojnë nënkalime për makina dhe mbikalime për këmbësorë.
“Mbikalimet që lidhin mbi 50 mijë banorë të kryeqytetit në këmbë, janë të një rëndësie të veçantë. Ai që nis në lagjen ‘Arbëria’ dhe përfundon tek ‘Pallati i Rinisë’ dhe që më tepër se mbikalim është një platformë shumëfunksionale ku ndërthuren shtigjet për këmbësorë, ato për biçikleta, parqet dhe hapësirat e gjelbra, përfundi të cilit kemi krijuar disa mijëra metra katror hapësira afariste, për ta bërë të vetqëndrueshëm, shpejt do të dalë në tender publik”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se përmes “pasarelës, që e lidh ‘Pallatin e Rinisë’ me hotelin ‘Grand’, një projekt i vjetër, të cilin nga tavolina e punës po bëhemi gati që ta bëjmë realitet, krijohet një tjetër lidhje me Bulevardin Qendror”.
“Ngjashëm edhe përmes mbikalimit në ‘Aktash’, platformë që do t’u shërbejë si park banorëve të asaj zone, si një amfiteatër i hapur studentëve të fakulteteve dhe si lidhje e mbi 25 mijë banorëve të lagjes me qendrën e qytetit. Këto janë urat drejt të ardhmes. Drejt Prishtinës të së ardhmes”, ka shkruar Rama.