Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ka thënë se Kosova është pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar dhe se krahasimet me Ukrainën nuk qëndrojnë.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të mbahet peng nga askush me pretendime të rreme e kjo, siç thotë Rama, duhet të fillojë nga pesë shtetet anëtare mosnjohëse.
Kryeministri i Shqipërisë tutje u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë me aleatët që kthimi në të shkuarën të jetë i paimagjinueshëm.
“Të gjithë në Ballkanin Perëndimor të bëhemi bashkë dhe të planifikojmë të ardhmen tonë së bashku. Është bindja e palëkundur që të shohim të ardhmen. Agresioni rus kundër Ukrainës duhet të na shërbejë si një zile alarmi. Ballkani Perëndimor është në një pozicion shumë më të mirë sa ka qenë ndonjëherë, por duhet të punojmë pareshtur me aleatët tanë që kthimi në të shkuarën të jetë i paimagjinueshëm. Çdo paralele e hequr artificialisht në Kosovë e Ukrainë ka për qëllim të shpërqendrojë këdo që është në këtë ndërtesë, por Kosova është një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar. Nuk duhet mbahet peng nga askush me pretendime e justifikime të rreme, duke e nisur me 5 shtete anëtare që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë Rama.
Ai tutje ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën “për sa kohë të jetë e nevojshme”.
“Një tjetër luftë po vlon, në Lindjen e Mesme. Nuk ka vend për Hamasin në një vend ku duam të jetojmë. Ne duam paqe”, ka deklaruar Rama.