Arbëri

Rama: Kurti duhet të dalë nga kurthi “macja me miun”

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë

Foto: Alban Bujari

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka këshilluar homologun e tij, Albin Kurtin, “për të dalë nga kurthi i lojës macja me miun” me Serbinë.

Duke folur nga tryeza ndërkombëtare për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Rama ka thënë se Prishtina rrezikon të mbetet pa miq nëse përdor politikën e jashtme për të marrë vota brenda vendit.

“Sot, ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtar dhe në këndvështrimin tim, – meqë jemi sot për Ibrahim Rugovën, – nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë ‘macja me miun’ në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Evropian duke thënë “ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi më çfarë flasim, ne jemi këtu për të folur me Bashkimin Evropian, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të Bashkimit Evropian dhe për t’u afruar me ju”, theksoi ai.

Rama ka thënë se nuk duhet marrë me Serbinë pasi çka bën ajo “është punë e saj”, e sipas tij.

“...Këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë, vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fort i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk të çojnë asgjëkund dhe unë nuk e kuptoj dhe nuk kam për ta kuptuar asnjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çfarë lidhje ka çdo detyrim që ka Kosova, jo në raport me Serbinë, por në raport me vetveten, në raport me standardet e një vendi që kërkon të hyjë në NATO, kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian me se çfarë bën e çfarë s’bën, e çfarë i pëlqen e çfarë s’i pëlqen Serbisë’, theksoi ai.

Ai ka thënë se Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën.

“Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën, por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe ta njohin si një shtet model...Unë jam i bindur që kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme, jam i bindur që kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme por edhe ku në një farë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme. E thashë dhe më parë, ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla, ne nuk jemi kërthiza e botës dhe sa herë kemi menduar që jemi kërthiza e botës, e kemi pësuar shumë keq dhe sa herë që kemi kuptuar që duhet të jemi si ‘trimi i mirë me shokë shumë’ dhe se duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe investimin e shumë të tjerëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe miqve tanë ndërkombëtarë në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ia kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur”, ka shtuar ai, duke potencuar se Kosova i ka mundësitë për të ecur përpara.

Rama ndër të tjera ka thënë se krisja e raporteve në mes Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, herët a vonë do të jetë i kushtueshëm.

“Siç thoshte mësuesi im Rolan Bard politika fillon me një dëshirë dhe pasion dhe pastaj ajo kthehet në veprim. Kështu fliste ati themelues i Kosovës së lirë të pavarur e demokratike i bindur se në arenën e lojës së madhe politike, kalorësit e idealeve duhet të zbresin në tokën e llogarive strategjike. Se aleatët dhe arbitrat e jashtëm kanë po aq rëndësi sa vullneti i brendshëm, se dogmatizmi dhe kryelartësia provinciale herët apo vonë kthehet në një ndëshkim shumë të kushtueshëm për popujt e udhëhequr me arsyen e pasionit dhe jo pasionin e arsyes“, tha ai./KSP


Rama: Nuk ka plan për mbledhje të dy qeverive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se nuk ka plan për mbledhje të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai përmendi grupin e unitetit për politikë të jashtme, teksa theksoi se duhet të ketë ndarje të interesit kombëtar nga ato partiake. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku i është dhuruar "Çelësi i Qytetit".

Në vizitën e Ramës në Prishtinë, nuk ka qenë në agjendë takimi me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti. Kryeministri shqiptar u pyet për raportet me “vëllain e vogël”.

“Vëllain e vogël e kam në Tiranë është drejtor i klubit ‘Partizani’, Olsi Rama...Ma bëtë pyetjen me shpresën që të më fusni në kurth por jam mësuar me këto kurthet. Po rash në kurth hidhem vet, nuk më fut dot njeri”, deklaroi ai para mediave.

Në konferencë për media, Rama u pyet edhe për mbledhjen e dy qeverive.

“Nuk ka plan për një mbledhje”, u përgjigj ai shkurt.

Ndërkaq, sa i përket grupit të unitetit për politikë të jashtme, Rama theksoi se duhet të ketë ndarje të interesit kombëtar nga ato partiake.

“Nuk është çështje personash, është çështje qasje, është çështje e ndarjes së interesit kombëtar nga interesat partiake dhe nga interesat e brendshme politike. Sepse unë besoj që kur Shqipëria dhe Kosova dalin jashtë kufijve nëpërmjet të zgjedhurve të tyre, aty janë një. Në kuptimin që Shqipëria është shteti i shqiptarëve, Kosova është shteti i shqiptarëve të Kosovës dhe i pakicave që mos të na thënë që po bëjmë ndonjë ‘provokacia’. Interesi kombëtar është ai që përcakton politikën e jashtme dhe është ai mbi të cilën pastaj përcaktohet edhe mënyra se si të tjerët na shohin. Dhe në këtë aspekt Ibrahim Rugova është njeriu që krijoi për Kosovën pasurinë më të madhe natyrore që janë aleatët dhe miqtë e Kosovës. Dhe po ashtu dha një shembull të jashtëzakonshëm me ekipin e unitetit që do të ishte një ide shumë e mirë”, u shpreh ai.

Kryeministri shqiptar shtoi se po punohet për opsionet më të mira të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Rama shtoi se hekurudha Durrës-Prishtinë i është nënshtruar një analize për opsione më të mira.

“Është ky një projekt që e kemi bashkë në trajtim bashkërisht me Qeverinë e Kosovës, ne punojmë bashkë me Qeverinë e Kosovës, të tjerat pastaj janë në barsoleta për thashethemet mediatike. Në thelb ne punojmë bashkë edhe hekurudha Durrës-Prishtinë tani i është nënshtruar një analize për opsione më të mira, pastaj do të duhet të presim studimin e fizibilitetit dhe pastaj do të duhet të hyjmë në procesin e financimit”, theksoi ai.

Në takimin me kryetarin e Prishtinës, kryeministrit shqiptar, Edi Rama i është dhuruar “Celësi i qytetit”, ku Rama lavdëroi punën e kryetarit të kryeqytetit.

"Është kënaqësi që mu dha mundësia të vizitojë bashkinë dhe të ju vizitojë juve personalisht në zyrën tuaj. Më vjen shumë mirë qe do të kthehem me Çelësin e Prishtinës. Kujtoj qe në vitin 2008 kur Hashim Thaçi drejtonte qeverinë e parë të pavarësisë, unë i dhashë Çelësin e Tiranës si kryeministër i Kosovës dhe sot jam unë që e marrë çelësin si kryeministër i Shqipërisë. Ndërkohë që më duhet them qe i ndjek me kuriozitet përpjekjet e kryetarit të bashkisë këtu në Prishtinë, me kushtet e një kryeqyteti që rritet, që ka sfida të mëdha si çdo kryeqytet në botë dhe që ka nevojë për lidership dhe për mbështetje të vazhdueshme nga të zgjedhurit e vet", tha Rama.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kryeministri shqiptar, Edi Rama po mbështet Kosovën pa kursyer në arenën ndërkombëtare.

"Pata nderin qe të ja dhurojë edhe çelësin e kryeqytetit, kryeministrit shqiptar, zotëri Edi Rama. E cila edhe e çmon edhe angazhimin e tij të palëkundshëm për vendet tona. Jo vetëm për Shqipëri, por për Shqipëri e Kosovë e për gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Gjuha, tradita, toleranca ndërfetare janë të përbashkëta të të dy vendeve tona, dy kryeqendrave tona dhe fatet tona janë të gërshetuara dhe prihen nga i njëjti yll polar që na orienton drejt përparimit dhe unitetit. Për këtë arsye edhe e çmoj edhe zotëri Rama për mbështetjen e pakursyer në arenën ndërkombëtare për Kosovën edhe e shohim si arma jonë e rëndësishme, litari për të cilin jemi të lidhur fort të cilin duhet ta shfrytëzojmë çdo ditë. E përgëzoje dhe për zhvillimin e hovshëm që ka bërë Shqipëria”, u shpreh ai.

I pari i kryeqytetit e ka falënderuar kryeministrit shqiptar për punën që bën për gjithë shqiptarët.