Arbëri

Rama: Kosova ta ngrijë dialogun bilateral me Serbinë, normalizimin ta synojë me dialog me BE-në

Edi Rama ne kuvendin e kosoves

Foto: Alban Bujari

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Kosova duhet ta ngrijë dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me të ta synojë përmes dialogut bilateral më Bashkimin Evropian. 

“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftofi siç thoni ju, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut biletaral me BE-në, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me BE-në”, ka theksuar Rama në fjalimin e tij para deputetëve në seance e përbashkët të kuvendeve Kosovë-Shqipëri. 

Ai ka folur për rrugën e të dy vendeve drejt integrimit në BE. 

“20 vjet më parë, presidenti Ibrahim Rugova tha diçka edhe për ne sot duke na kujtuar, citoj ‘objektivat e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë, janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-në’, e themi me bindje të plotë që sot shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Evropës dhe botës dhe kanë shansin të hynë në familjen evropiane”, ka theksuar Rama. 

Por sipas Ramës do të ishte më mirë që këtë rrugëtim Kosova dhe Shqipëria ta bënin krah për krah me njëra-tjetrën. 

“Ndërkohë që Shqipëria ecën tanimë me hapa të shpejt në rrugëtimin e saj, për tu bashkuar me Evropën, paramendojeni se sa krenar do të bëheshin të gjithë shqiptarët, se çfarë vlere me të madhe do t’i jepnim emrit të shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë kudo ku shqiptarët jetojnë sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovës, sikur edhe Kosova të shkëlqente ndërkombëtarisht ... sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit”.

Rama: Barra për degradimin e dialogut t’i bjerë Serbisë

Ai i ka quajtur absurde masat e BE-së të vendosura ndaj Kosovës. 

“Dëshira ime e zjarrtë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE, kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat meqë ra fjala janë një aubsuditet absurt ... Bashkë me presidenten në Samitin me BE-në dy ditë më parë kemi këmbëngulur që ato masa të hiqen”. 

Ai ka thënë se faji për degradimin e dialogut Kosovë-Serbi duhet t’i bie Serbisë. 

“Ne do të jemi dorë për dore, paqedashës e paqeruajtës  për t’i bindur edhe skeptikët më të mëdhenj në BE për absurditetin e rezervave të tyre në njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe në sytë e tyre barra e fajit për degradimin e dialogut të normalizimit duhet t’i bjerë, e gjitha vetëm Serbisë, por kurrsesi nuk duhet të lejojmë që qoftë vetëm një gram t’i bjerë Kosovës”.

“Ne duam që Republika e Kosovës të njehet një orë e më parë nga të gjitha ato vende evropiane që sot e gjithë ditën ngurrojnë ta pranojnë realitetin e pakthyeshëm dhe të pandryshueshëm të pavarësisë së saj, përfshirë edhe nga vetë Serbia të cilën Kosova e ka mundur me luftë këtu e 20 vjet më parë”, ka shtuar ai. 

Rama: Standardet e Speciales mund të jenë të varura nga gjykatësit

Rama në fjalimin e tij ka folur edhe për shqetësimet që ka sa i përket pavarësisë së Gjykatës Speciale.
Ka thënë se Gjykata është e pavarur, por sipas tij, standardet mund të jenë të varura nga gjykatësit.  

“Nuk e kam diskutuar e as nuk e diskutoj të drejtën e asaj Gjykate Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku edhe vetë Hashimi ka ngritur dorën për të formuar atë Gjykatë, por ajo që nuk vi dot deri këtu në Prishtinë, që të marr fjalën dhe pastaj ta gëlltis në heshtje, në mungesë të Hashimit, në mungesë të Kadriut, në mungesë të Jakupit, në mungesë të Rexhepit është nyja e mbledhur në fyt, nga një dyshim shumë i madh dhe krejt i arsyeshëm se ai proces është një proces i parregullt ligjor dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të të gjitha vendeve demokratike që e financojnë atë far gjykate”, ka theksuar Rama. 

Ai ka thënë se Gjykata Speciale në çdo hallkë ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë së një shteti të së drejtës. 

Gjithashtu ka kritikuar Kuvendit e Kosovës që nuk kanë ndërmarr një hap për miratim të një Rezolute me të cilën do të kërkohet që të adresoheshin shqetësimet lidhur me pavarësinë e Gjykatës Speciale. 

“Nuk rri dot gjithashtu pa u thënë çudinë time për faktin që në këtë sallë nuk është ndërmarr asnjëherë, asnjë nismë për të kërkuar përmes një rezolutë, të mbështetur nga të gjitha partitë politike, të paktën shqiptarët, të gjitha vendeve që janë financuese të asaj gjykate shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi dhe për të ngritur një komision verifikimi për këto shqetësime.

Lexo përditësimet tjera
Kuvendi i Kosoves

Nis seanca e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipëri

(E përditësuar) - Deputetë të Kosovës e të Shqipërisë janë bërë bashkë sot në Prishtinë. Në...